>
LETERSISHQIP
Sinan Kërpaçi

Në Ke Vend, Merrmë Dhe Mua

Për pak fluturim kaprolli
te një shkëmb
fare nuk pyet për kokën,
kërcen te një katarakt
sa e rrotullon një mokër
të bluaj ai mulli bukën time.

Mos ik pa marrë dhe mua
si merr pritat, si merr gardhet,
më bëj vend:
jam te rruga i vetmuar,
jam një udhëtar që pret
për ta bërë udhën bashkë.

Mos ndalo, nuk zbres gjëkundi,
me ty jam deri në det e më tej
sa të shndërrohemi nga përrua
në një varkë të dy bashkë:
ti si të krijuan buzat nga rrëketë,
mua si më bëri nëna
kur i çoi fjalë Zoti atje lart.

Vetëm më ço gjer në det,
në ke vend e nuk të rëndem,
vetëm mos bëj këmbë pa mua,
kaprolli që s`të ha prita,
ti përrua!