>
LETERSISHQIP

Fëmijëria

Ndërkohë që poetët shpleksin botën e menduar
apo të bindur në apogjeun e sigurtë të lavdisë,
Unë, ende kam mbetur në kohë i vonuar,
duke thurur fatlum, vjershat e fëmijërisë.

Jam rritur duke peshkuar i pafajshëm cimkat,
pastaj naiv në kufijtë e ëndërrimeve të jetës,
nën hijen e pakët e të vogël që lenë konupicat,
kam ëndërruar deri në delirin sublim të së vërtetës.

Verës me një kërcell tersherë dhe një bixhak,
kam bërë pipëza dhe curubaba nga ngasja,
dridhja tingujt dhe e qaja “ Minushin”, por aspak,
nuk kuptoja britmën “ Agan “dhe këmbën që përplasja.

Bridhja si heretik çdo ditë nga mosha i ndëshkuar,
fiqve të egër rrezikut shpellave duke u shqyer,
pas thanëve majoshe në mal gjithmonë i djallëzuar,
fytyrën si maskë me të kuqe duke e lyer.

Tej shkumëzimit, mbi valët e bardha tej rrymës,
me komardaret e zeza kam përkundur ëndrrat,
herë me kalamendje mbi frikësimin e rrjedhës,
herë “kapadai “ duke shoqëruar “serioz” femrat..