>
LETERSISHQIP

Lumit Tim

Statuja shkëmbinjsh dhe rrepe anë e kënd…
Ngjethjet e erës si përkëdhelje e malleve!
Faleni lavdinë dhe thesaret për gjithkënd,
për mua, vetëm këtë shkumë tej valëve.

Unë ngashërehem me varkat e reve ne qiell
dhe rrezet që ndezin margaritarë mbi lumë,
për copëzat e rërës, si oaze ngazëllimi në diell
dhe dallgëzimin e lëmyshqeve në shkumë.

Bukuria për brigjet shkon drejt sublimes,
jetën e stolisim me mendime krejt të lehta.
Koha?! Lëreni të përkundë vitet pa rikthime,
çfarë lashë kur ika, apo çfarë iku e nuk e gjeta.

Shikoj diku zjarrin e gjarpërt të vetëtimes,
ndërsa pi duhan për misterin e moskthimit,
madje kuptoj përse jetët tona nuk mjaftuan kurrë,
të zbutin tmerrin që ngrihet prej vërshimit.

Vjosa ikën…më shtohet pushteti i të dridhurave,
Lehtë – lehtë valët ikanake drejt fatit të caktuar
dhe të mendosh ; kur gjithmonë trokiste Vera,
te këto brigje unë kthehesha i dashuruar.