>
LETERSISHQIP
Vasil Çuklla

Mos...

Mos!
Mos m’i përbaltni të rënët!...

Pa Ta,
ju sot, nuk do të hanit, me lugën e madhe!
Pa Ta,
ju sot, ndoshta, s’do ta gjenit një vend,
në sofrën me halle!...

Mos!
Mos m’i përbaltni të rënët!

Rrënqethen rrënjëpemët, ulërrin universi.
Akoma dhe hëna përflakur, druhet të dalë.
Akoma dhe pranvera druhet të vijë, të bulojë gjethi.
Akoma rrënqethur zverdhet, i gjelbëri bar.
Akoma dhe qiejt rrinë mekur, pa folur një fjalë.
Akoma, akoma dhe kush, duhet të vdesi?!...

Tek ju shohin, me hallet e popullit si luani...
Tek ju shohin si luani, me fatet e Atdheut!
Mallkuar ulërrijnë shkulmzemrat, e nënave shamizeza!
Mallkuar këlthasin në kujë Ajkunat... edhe hapet dheu!
Mallkuar ulërrin shpirti, i çdo "zogu shtegëtar"!
Mallkuar... mallkuar çirret Mëmëdheu, ndër breza!

Mos!...
Mos m’i përbaltni të rënët!...

Ç’kërkoni më nga Ata?!...
Sa detgjaku, për ju, duhet të derdhen?!...
Sa qyvure të ngrihen, sa të tjera doni, varreza?!