>
LETERSISHQIP
Vasil Çuklla

Nëse

Nëse beson në mua, kthe sytë një çast nga unë
Një qiell do t’ju falja, yjesh margaritarë...
Ndoshta të jetë sëmbim, buzëqeshja e pafund
Ndoshta të jetë frymjetë, për zemrën Tuaj, vrarë
Dhe puthja përdëllim, që kurrë nuk lypi mund!

Nëse me mua, bashkë, e nisje këtë udhë
Sado të ish’ e gjatë, përpjetë, a tatëpjetë...
Do kishe thjesht një dorë. Shkretia kërkon ujë
Do kishe thjesht një zemër, të çiltër, si do vetë
Dhe shpirti agjëruar, s’do dridhej, sikur fletë!
***
Të falem Perëndi, që lutjen m’a dëgjove
Të falem edhe Ty, gojëmjaltë, zemërkristal...
Që nuk m’i le mendimet, bonjake, të harbohen
Shkulmzemrën m’a mbulove, porsi e brishta valë
Nën përkëdhelje shpirti, nën të magjishmen fjalë!

Majlind' lindur mes Majit, mes lulesh jargavanë
Sa borë mbi kryet tona mbështetën vitet radhë
Sa shpejt që rodhi koha, sa shpejt lulet u thanë
Por Ti, m’e bukur dukesh nën rudh, nën flok të bardhë
Në prehrin tënd rri vargu, tek këngëzon, tek qan!