>
LETERSISHQIP
Albert Zholi

Djali Nga Mirdita

Qante dhe pinte lotët. Mund të ishte 13 ose 14 vjec. Vinte trup i imët e i dobët. Rreth djalit ishin grumbulluar shumë shqiptarë. Të tjerë kalonin indiferentë. Ishim tek sheshi Dhafni. Djali qante dhe duke pirë lotët tregonte. Ja se c’munda të kapja nga tregimi i tijë: ".Jam nga Mirdita. Mbrëmë erdhëm nga Kakavija, bashkë me vëllanë... Erdhëm me një makinë të madhe, pa dokumenta. Ishim aq shumë sa nuk lëviznim dot as këmbët. Në Athinë kemi dajon, por nuk e gjetëm dot. Paratë që kishim ia dhamë shoferit. Në shtëpi ishin që të gjjithë pa punë. Paratë e udhës i morëm borxh tek axha. Mbrëmë fjetëm në një qoshe shtëpie që po ndërtohej. Ja kështu fjetëmn me këto rroba. Vëllai më mbështolli me trupin e tij se është më i madh vëllai. Në fakt nuk fjetëm se kishim ftohtë. Sa zbardhi, dolëm këtu tek sheshi për punë. Vëllai e dinte se kishte ardhur edhe herë të tjera. Por erdhi policia dhe i zuri katër vetë. Edhe vëllanë tim e zuri. Ai nuk ka asnjë dokument, nga ato që do policia. Edhe unë s’kam, por nuk më zuri. Tashti nuk di nga të vete? Ku të punoj? Ku të ha e ku të fle? Edhe dajon nuk e gjej dot vetëm. Më mirë të më merrte mua policia e jo vëllanë..."

Dhe djali tregonte e qante, mes grupit të shqiptarëve. Një rast si të shumtët këtu në Greqi…