>
LETERSISHQIP

Në Ditët E Karnavaleve

Katër skica në një reportazh
1. Maskat

Është thënë se maskat janë përdorur për herë të parë në Teatrin Grek. Në mijëvjecarin përtej Krishtit, kur dramaturgët e shquar grekë, e ngjitën jetën në skenë …Mirë burrat por gratë që nuk mund të luanin artin e jetës?! Burrat duhet të merrnin në dukje pamje grua…Dhe u shpikën maskat.

Dhe dramat e Eskilit, Sofokliut, Euripidit e shumë gjinive të tjerë, nisën artin e madh grek të skenës. Brenda atijë arti të madh janë edhe maskat. Dhe ato maska morën emrin Maskat e Teatrit, që mbajnë brenda edhe maskat e karnavaleve apo Maskat Funebre.

Kështu njeriu e ndjeu nevojë të përmbyste rregullin e gjërave e t’i jepte realitetit një pamje tjetër. Njeriu fsheh fytyrën e njëherësh zbulon energjitë e trupit, që më parë i mbante të ndrydhura nga rregullsia e jetës pa maska.

Dhe njerëzit duan të luajnë disa ditë me jetën e tyre. Ditët e karnavaleve në Athinë janë nga më të bukurat… Ditën e parë karnavalet organizohen para sheshit aq të dëgjuar Zapio, që mban emrin e shqiptarit nga Lunxhëria që i dha emër edhe fshatit të lindjes Labova e Zhapës, për t’u shtrirë deri këtu në zemër të Athinës, ku i ngrihet varri.

Por karnavalet pushtojnë të gjithë Athinën. I gjithë qyteti gjigand pesëmilionësh, sikur lëviz me maska.

2. Mama, AFTI INE I ZOI…

Me ftesë të një mikut tim, karnavalet ‘98 i festova në Glifadha, një nga lagjet më të bukura, më të pastra e më të pasura të Athinës.

Në sheshin e karnavaleve ishte ndërtuar një podium gjigand, ku do të ngjiteshin gjithë fëmijët e lagjes. Gjithë gëzimi i shprehur sic dinin e sic donin ata, aty do të ngjitej. Fëmijët të habisnin me shumëllojshmërinë e veshjeve...

Nga orkestra u dha sinjali i fillimit të festës. Mijëra duartrokitje, brohoritje, përqafime e gëzim i papërmbajtur. Podiumi u mbush plot. Fëmijët nisnin të shfaqnin gëzimin e tyre, ndryshe nga të gjithë ditët. Më tërhoqi shikimin një vajzë 6-7 vjeçare, vallëzonte habitshëm. Doja të pyesja, por nuk kisha se kë dhe në atë shpërthim feste, dilje jashtë loje të bëje pyetje. Kërcimtarja e vogël, mbaron rrotullimet vallëzuese, merr në dorë mikrofonin dhe thërret: Mama, afti ine i zoi!” E përktheva në gjuhën time “ Mama kjo është jeta!” dhe ndjeva një fluturim shpirti. Dhe unë e harrova jetën e halleve në ato çaste. Filluan të përqafohen të gjithë të pranishmit e asaj moshe...Skena sa nuk shembej nga vallet e fëmijëve dhe të prindërve, që ishin ngjitur, kush mundëte.

Kur mbaruan dallgët e gëzimit, zbret nga skena vogëlushja balerinë e vjen aty pranë meje, ku kishte prindërit...

-“Po se lene pedhi mu?” ( Si të quajnë?) e pyeta unë greqisht për emrin.

-Vasenka Paco- u përgjigj vajza greqisht.

-Si, shqiptare?- u habita unë i entuziazmuar.

-Po nga Shkodra jam –u përgjigj saktë vogëlushja.

E përqafova mallshëm Vasenkën e vogël dhe një lot m’u këput brenda gjoksit :”Dikur këto caste t’i gëzojnë kështu të githë fëmijët e Shqipërisë e të shqiptarëve kudo në botë!!”

3. Por varfëria s'të lë...

-Alo Berti? Bashkimi jam!

-Nga flet ngha Shqipëria?

-Jo nga Janina, jam nisur me gjithë familje, për në Athinë, për të bërë dicka të mirë, pranë familjes së tij. Ishte në emigracion në Ikjen e Madhe dhe u kthye, pasi punoi si aktivist i palodhur për “trëndafilin e kuq”, si thoshte ai. Dikush i kish premtuar, se po fituam neve eja se njerëz të aftë duam!” por koha tregoi ndryshe. Por Bashkimi mori prap udhët larg atdheut, jo vetëm më, por me gjithë gruan e djalin pesë vjecar.” Mund të ndodhë dhe mrekullia, që unë të punoja diku e të mbaja familjen në vendin tim, por farfëria s’të lë të presësh...më tha.

Sa zbritën nga autobuzi, Albanin e vogël e mora në duar.

-Alban, cfarë të blejë xhaxhi?- e pyes, kur u afruam tek një minimarket. E ula në tokë dhe e afrova para vitrinave të zgjidhte nga shumëlloj ëmbëlsirat, që dukeshin. Albani ecte vitrinë më vitrinë i hutuar dhe herë pas here kthente kokën nga e jëma, sikur donte t’i thoshte: “ Mos jam në përrallë”?” Sa ndryshonte ky fëmijë nga Vasenka e karnavaleve, që thërriti: Mama, kjo është jeta!...”Kurse Albani mund të fliste tashti, ashtu i heshtur, ” mos jam në ëndërr mama”?

I bleva ç’munda nga ato ëmbëlsira që shihte Albani, sa ai nuk i mbante dot me duart e vogla...Ai shihte herë nënën e herë babanë e nuk u besonte syve.

-Cbëre kështu? E teprove!-foli Bashkimi

-I takojnë çdo ditë, por t’i ketë të paktën sot, – i thashë shokut dhe buzqesha me Albanin.

Faleminderit xhaxhi –foli vogëlushi dhe qeshi...

4. E nesërmja...

Dita u ngrys me një aksident automobilistik. Rrotat e një makine morën jetën e dy adoleshentëve në një kryqëzim udhe. Në moshën e ëndrrave, që s’jetuan dot, ata e mbaruan jetën...Jetën ua vodhi pakujdesia?Apo varfëria? Ajo varfëri që i detyron këta fëmijë të lypin udhëve plot mistere të Athinës?? Kush i vrau këtë mbrëmje dy vogëlushët e pambrojtur nga shteti nga familja dh e nga fati i tyre?? Më duket sikur dëgjoj zërin e tyre me bërtitje para vdekjes: “Maamaa kjoo ështëëë jeetaaa...?!”
Athinë 1998