>
LETERSISHQIP
Albert Zholi

Nënë Kristina

-skicë letrare-

Me nënë Kristinën për herë të parë u njohëm në një udhëtroili, që ngjitej në lagje Kipseli… Unë isha fundosur nëpër faqet e gazetës " Koha Jonë", me lajme tronditëse nga vendi im, në atë fillim pranvere të 1997-ës…

Pranë meje, një grua e shëndetëshme me fytyrë nëne trishtonte sytë e drithëronte frymën sa herë shihte fotografitë në gazetën që shfletoja unë… Policë me shkopinj gome e të veshur si robotë, që godisnin qytetarë në sheshin "Skëndërbej"…Një burrë i mbuluar me gjak, sa nuk i dukej as fytyra. Disa politikanë të opozitës të tërhequr zvarrë duke i goditur me shkelma, ata njerëz robotë. Disa nëna shamizeza me qirinj të ndezur në duar, ulur mbi trotuarë përballë Universitetit."

Këto pamje shihte gruaja me fytyrë nëne, kur unë shfletoja gazetën.

-Të vërteta janë ato që thuhen për Shqipërinë këto ditë mor bir?- më pyeti ajo e shqetësuar.

Nuk dija si t’i përgjigjesha.

Ajo sërisht psherëtiu dhe me një shami të qëndisur, sic e mbajnë zakonisht Zonjat shqiptare, ato gra që dinë ta respektojnë jo vetëm jetën e tyre por edhe simbolet e jetës, sic mund të ishte edhe kjo shami –nusërie e qëndisur, fshiu dy pika loti që i lëviznin nëpër faqe.

Për ta lehtësuar disi dhimbjen e saj pyeta:

-Nga jeni nënë?

- Jam nga Berati. Kristina më quajnë. I kam kaluar të gjashtëdhjetat, e kam parë Shqipërinë të djegur e të shkatërruar nga gjermani dhe nga italiani...por si tani jo?Jo, kurrë... Të djegim e të shkatërrojmë veten?... Të vrasim njëri-tjetrin?!... Kush i ka pjellë ata njerëz që bëjnë politikë për të vrarë vëllai-vëllanë?! Nga bark nëne ka dalë?!

-Po ju Nënë Kristina ç’fëmijë kini?- e pyeta unë, si për t’i qetësuar shpirtin...

-Kam plot e të më rrojnë. Shtatë fëmijë kam, gjashtë djem, por asnjë nuk e vë dorën tek flaka e tek plumbi. Ikën të gjithë djemtë e më morën edhe mua. Të lesh vendin tënd është mallkim, por jemi mësuar të jetojmë me nder mor bir, prandaj ikëm.

Ndoshta ajo donte të thoshte se në vendin tënd nuk të lënë të rrosh me nder e me djersën e ballit. Dhe ata që s’të lënë janë të mëdhenjtë e vendit… Ata që vjedhin e të vrasin, ata që…

-Po votime do të bëhen më mor bir?-më pyeti nënë Kristina, sikur ta dinte cfarë tirrja unë në tru ato caste.

-Do bëhen nënë do bëhen!

- Aq e di unë, po do bëhen sic janë bërë apo ndryshe?

-Mbase bëhen ndryshe.

-Ndodh në një vend të botës që të të vjedhin edhe shpirtin?!

-Edhe ndodh –fola unë i zënë ngushtë...

-Nuk më besohet! Që të vidhen votat ashtu?! Vetëm në një film me gjermanë kam parë, kur u bë Hitleri Hitler. Aty vidheshin kutitë e votimit, fshehur, e jo sy më sy si tek ne... E po kështu s’është parë e dëgjuar... Ndërkoh që i vodhi të gjithë votat e në mëngjes na falenderon për votat që i dhamë, gënjeshtër më të madhe nuk ka. Dhe këto gënjeshtra i besojnë pa le.

-Nuk i beson kush -ndërhyra unë...

-I besojnë, i besojnë... E di c’më lexonte Vlashi një ditë?!... Një libër të një shkrimtari të huaj, që fliste për Hitlerin... dhe Hitleri thoshte " Gënjeshtra më e madhe besohet..."...Mirë e kish Hitleri, edhe gënjeshtrën tonë e beson bota, ata të mëdhenjtë që rrotullojnë politikën...

Trojli N.4 e mbaroi udhën e tij.Zbritëm.

-Urdhëro nga shtëpia të njihesh dhe me djemtë. I kam të mirë djemtë, ja kështu si ti. Dhe më puthi në ballë sikur të ish djali i saj.

Me nënë Kristinën u takova edhe herë të tjera. U njoha edhe me Vlashin, djalin e saj piktor e me gjithë djemtë e saj të mirë. Por në kujtesë më mbeti ai takimi i parë, ato fjalë me ato dy pika loti, e ajo shami e qëndisur, që zakonisht e mbajnë Zonjat shqiptare, që dijnë të vlerësojnë jetën me shpirtin e tyre të bukur.

Qershor 1996 Athinë