>
LETERSISHQIP
Arian Muraj

Diva Ime

Të qarat e mia i qetësonte një këngë,
shpesh pas këngës edhe ndonjë vjershë,
gishtat e vegjël preknin një dorë, një mëngë,
jashtë dimër, pranverë, verë e më pas vjeshtë.

Pas hapit të parë, një dorë elegante,
herë më tregonte jetën e herë më tërhiqte,
rrugëve të qytetit një mama sharmante,
herë mbante në krahë të birin e herë ai e ndiqte.

U rrita, thjesht trishtim u bëra unë pastaj,
një zog i çorientuar nën erën e tërbuar,
mbrëmjeve, dalloja nën sytë e saj,
dy udhë të kripura nga lotët patën shkuar.

Kur kthej kokën pas, përpiqem të kuptoj,
ja bëra të bukur jetën asaj që më dha jetë?
Në fund të gjithçkaje vetëm këtë kujtoj
që, grua më të bukur as kishte, as do të ketë.