>
LETERSISHQIP
Aurela Tafa

Në Ditë Si Kjo

Në ditë si kjo, shpirti më braktis.
Jeta humb kuptimin,
dhe zemra kthehet në një zgavër pa jehonë.

Në ditë si kjo, trupi më mohon;
lotët më verbojnë,
dhe unë bëhem hije e vetes.

Në ditë si kjo, dorëzohem.
I lëshoj maskat.
S’dua të jem e fortë.
Dua ta ndjej dobësinë
si një stuhi që më shkund,
si një det që më përpin.

Në ditë si kjo, mos më flisni,
mos më qortoni,
as të më thoni të bëhem e fortë.
Më lini vetëm:
të rrëzohem, të qaj,
të vuaj deri në fund,
të lëshohem krejt,
derisa dhimbja të shndërrohet në heshtje,
në heshtjen që ngadalë më rikthen sërish.
25 Shtator 2025