>
LETERSISHQIP
Preng S. Gjikolaj

Atyre Që Vdiqën Në Qeli

Të burgosurve politik që vdiqën nëpër burgjet e diktaturës
Retë e shpirtit thërmohen n’shira lotësh.
Kangët e zemrës n’melodi vajtoresh.
Sytë tuaj, sinonim i yjeve të shuara,
kërkojnë një shpresë, tashmë dalë doresh.

Kërkojn një shtrat ku symbyllur t’pushojnë.
Kërkojn një kangë vajtoreve t’ua mësojnë.
Kërkojn një dritë, qoftë edhe të trishtuar.
Kërkojn një vorr, përtej jetës për të pushuar.

Zani tokës "huaj" buqet si bubullimë,
Si gojë bishash kur për gjak ulërijnë
-Larg prej meje, je tjetër ngjyrë!
Dhe sytë e fantazmave shkrepin vetëtimë.
-Larg prej nesh, nuk je i së njejtës sërë!

Pas tortures e vdekjes së tmerrshme.
ua mbyllën portat e fundme t’banesës.
S’ju lan t’pushoni as përtej jetës.
-Humbni përjetë!
Këtu do të banojnë eshtrat e sërës.

T’përgjakun, t’shqye e t’fikun si meteor.
Pas gjurmëve tuaja, ferrat dot lulzojnë,
e t’unët t’përjetshëm mbetët për liri e vorr,
e për emnin që kurrë s’do t’ua shqiptojnë.
1989