Preng S. Gjikolaj
Ate Te Diele Prilli Ne Aksion
Aso kohe isha ende pa i mbushur të trembëdhjetat, isha në klasën e VII-të. Nxënësit e shkollave thirreshin në aksion që nga klasa e pestë e lart, gjë që vijon edhe tani, kryesisht për çveshjen e misrit dhe mbjelljet e pranverës. Ka raste që për çveshjen e misrit thirren në aksion edhe nxënësit e klasave të treta e katërta të shkollës fillore.
* * *
Ai mëngjes mesprilli erdhi i kthjellët dhe i freskët. Kudo lëndinat ishin mbuluar nga një vesë e shumtë me bulza të vogla, sikur gjatë natës të kishte rënë pa pushim shi i imët. Sapo dielli lau vendin me rrezet e tia të praruara, lëndinat dhe pemët e çelura u veshën me ngjyrë argjendi të pastër, kjo shkaktuar nga vesa pranverore. Pas pak vendi u mbulua nga një mjergull e tejdukshme, që nga rrezet e diellit reflektonte lehtas të gjitha ngjyrat e ylberit. Këtë pamje parajse e shijonin vetëm ata që ndodheshin në luginë. Nga lart lugina dukej si një liqen me valë të mëdha që dallgëzonin lehtas. Kur dielli me rrezet e tia nisi të ngrohte luginën, mjegulla nisi të arratisej lehtas duke u ngjitur shpateve e lugjeve dhe më pas duke u tretur në kaltërsi.
Ajo ditë e shkëlqyer mesprilli konçidoj e diele. Si gjithmonë të dielat shumicën e kohës, sidomos në pranverë e vjeshtë ishin ditë aksioni. Thirreshin të gjithë, i madh e i vogël në fushatat e mbjelljeve, korrjeve, apo hapje kanalesh vaditëse e kulluese, hapje tokash të reja e të tjera punë kryesisht bujqësie.
Që të shtunën pasdite ishim lajmëruar se të dielen do të shkonim në aksion, nga klasat e pesta e lart. Na u komunikua se vendi i aksionit do të jetë larg ndaj duhet të merrnim bukën me vete. Do të mbillnim patate në tokat atje sipër në pllajat rrëzë bjeshkës. Duke qenë se vendi ku do të punonim atë të diele ishte rreth një orë larg. U nisëm heret, pa vajtur ende ora 6-të e mëngjesit pasi në ora 7-të fiks niste aksioni.
Duke qenë se që kurë u nisëm ne, dielli kishta ra edhe në luginë, ndaj i shijuam të gjitha pamjet që t'i fal një peisazh i tillë pranverorë. Edhe ngjyrën e argjendë të vesës, edhe ngjyrat e ylberit të mjegullës dhe sapo u ngjitēm lart shpatit, shijuam edhe detin me mjegull që kishte mbuluar luginën.
Duke u ngjitur lart pamë mjegullën që po davaritej lehtas si avulli i një kazani që valon. Dalngadalë nisën që të shquheshin radhët e ndërtesave dhe pallateve të qytetit të vogël që shtrihej bri lumit të kaltër që rridhte përgjatë luginës. U ndalëm që të prisnim grupin tjetër të nxënësve që vinin nga shkolla pasi unë dhe disa fëmijë të tjerë e kishim shtëpinë në rrugën që të shpinte tek arat ku do të mbilleshin me patate nga aksionistët.
Rruga u mbush plot e përplot me nxënës shkolle, që nga klasa e V-të e deri tek viti IV i shkollës së nesme. Gjatë rrugës para dhe pas nesh ecnin grupe të rriturish, deri edhe plaka e pleq që vinin nga drejtime të ndryshme. Të gjithë, që nga nxënësit e klasave të V-ta e deri tek pleqt e plakat mbanin në dorë nga një trastë të vogël apo çantë ku kishin marr bukën me vete për drekë. Shumica e të rriturve mbanin shata në krah. Kishte nga ata që kishin marr edhe lopata. Disa, kryesisht burra të moshuar kishin marr me vete kuaj, mushka dhe gomarë. Mushkat dhe kuajt i tërhiqnin të zotët nga zinxhirët, ndërsa gomarët i kishin lëshuar duke i valluar. Sa më shumë i afroheshim arave ku do të punonim, aq më shumë grupe njerzish e kafshësh grumbulloheshin gjatë rrugës. Gomarët nisën që të vraponin pas njëri-tjetrit dhe të grupoheshin. Kjo shkaktoj një zhurmë dhe rrëmujë shumë të madhe pasi gomarët ndiqnin njëri-tjetrin duke vrapuar, kacafytur e duke pëllitur, aq sa ushtonin lugjet e pyet përreth. Në atë rrëmujë shikonim vetëm të zotët e gomarëve që vraponin pas të vetëve duke mallkuar për t'i zënë. Kjo skenë të gjithë po i argëtonte, por më shumë e shijonim ne nxënësit, që të gjithë po gajaseshim së qeshuri me këtë skenë masive komike. Ne nxënësit qeshnim edhe më shumë me të zotët e gomarëve pasi ishin njerëz të moshuar që mezi vraponin duke vendosur njërën dorë mbi kokë për të mbajtur qeleshet që të mos u binin në tokë. Pas një copë here u vu rregull në grupin e gomarëve pasi i kishin kapur të zotët e tyre që të gjithë.
Sapo mbërritëm tek arat ku do të punonim, pamë një botë që nuk e imagjinonim. Vendi ishte mbushur plot me njerëz, që nga fëmijë e deri plaka e pleq, kuaj, mushka, gomarë e qe. Ne nxënësve të shkollës na rrjeshtun ashtu si në shkollë, ku në krye të çdo klase rrinin mësuesit kujdestarë.
Para nesh doli drejtori i shkollës së bashku me një burrë të gjatë dhe krejtësisht të thinjur. Më pas erdhën një tjetër burrë me kasketë, një tjetër i veshur me kostum doku dhe një grua. Ne më shumë përshtypje na bëri një burrë që erdhi i fundit. Ai ishte me trup mesatarë. Fytyrën e kishte gjithë brazda ku i dallohej një hundë shumë e madhe, maja e së cilës vinte shumë e gjërë dhe e mbuluar me gunga të vogla. Sytë i kishte të ngulur thellë në gropat e tyte, aq sa nuk mund t'ua dalloje mirë ngjyrën. Ai mbante veshur një palë çizme lëkure oficerash, qillota dhe xhaketë ushtarake dhe në kokë mbante një kapele po oficerash pa yllë. Xhaketën e kishte të zbërthyer nga ku i dukej një fanellë leshi si e kuqe me jakë "v". Në fyt i dukej një kollare po e kuqe e dalë bojet që dallohej mes dy anëve të jakës së këmishës që në origjinalitet duhet të ketë qenë e bardhë, por tani ishte gati ngjyrë gri, ngjyrë e cila ishte më e theksuar rreth qafës. Atë, shum nga ne e nihnin. Ai ishte kryetari i organizatës së frontit të të gjithë kooperativës. Edhe atë gruan unë me Lekën dhe të gjithë nxënësit e fshatit tonë e nihnim pasi ishte nga fshati ynë dhe ishte sekretarja e organizatës-bazë të partisë për fshatin. Ndërsa ai burri i thinjur morëm vesh se ishte sekretari i byrosë së partisë të të gjithë kooperativës, ai me kasketë ishte kryetari i këshillit të bashkuar dhe ai tjetri me kostum doku kryetari i kooperativës.
Ne nxënësve të tetëvjeçates dhe të vitit të parë të shkollës së mesme n'a caktuan në hedhjen e farërave të patates dhe plehut nëpër gropat që hapnin të rriturit, apo në brazdat që hapnin parmendat e qeve.
Sapo kishim nisur punën, nga shpatet e bjeshkës që ishte sipër nesh nisën që të rrokulliseshin gurë. Unë së bashku me shokun tim Lekën po hidhnim fara nëpër gropat që hapnin nxënësit e shkollës së mesme. Sapo u dëgjua zhurma e gurëve që rrokulliseshin, të gjithë e lam punën dhe po shikonim të habitur gurët duke u rrokullisur. Pas pak të rriturit nisën që të grumbulloheshin grupe-grupe. Ne më të vegjlit nuk po kuptonim se ç'kishte ndodhur. Pas pak pamë një grumbull të madh të rriturish që ishin grumbulluar rreth një burri që mbante në dorë një radio të vogël me bateri. Aty morëm vesh se kishte ra tërmet shumë i fortë në rrethet Shkodër, Lezhë e Mirditë dhe se kishte shkaktuar dëme shumë të mëdha.
Pas kësaj rrëmuje që shkaktoj lajmi për tërmetin, njerzit u shpërndanë duke nisur punën. Edhe unë me Lekën shkuam tek vendi ku kishim nisur punën. Gjatë kohës që hidhnim farat e patateve, herë pas here shkonim dhe mbushnim kusiat që mbanim patatet e farës tek vendi aty në krye të arës ku ishin thasët me farë. Kur po mbushnim kusiat me patate fare dëgjuam tek po bisedonin dy pleq me qeleshe. Njëri mbante në dorë zinxhirët e mushkës me të cilën sillte thasët e farës, ndërsa tjetri nga një gomarë po shkarkonte dy thasë me pleh kimik. Teksa po mbushnim kusiat me farë patatje, unë e Leka dëgjuam dy pleqt tek bisedonin me zë të ulët mes tyre. Ai që mbante zinxhirët e mushkës në dorë tha:
- O Mark! A nigjove, ajo?
- Po, po! - tha ai që kishte gomarin. - paska ra tërmet shumë i fortë, mbi 7 ballë. Kështu mora vesh fjalë n'fjalë. Po a di gjë o Llesh, a ka bërë shumë dëme?
- Po, po! Paska bërë shumë dëme në Shkodër e Lezhë. Thonë se edhe në Mirditë ka shemb disa shpia e objekte shtetërore.
Ai tjetri që quhej Mark, sapo shkarkoj gomarin po shikonte si i habitur. Ai mblodhi menjëherë litarët rreth kaptellit të samarit të gomarit dhe tha duke i'u afruar shumë afër ati që kishte mushkën për dore.
- Ku e more vesht o Llesh.
- Isha afër Shkurtit kur radio po jepte lajmet. - tha ai që quhej Llesh.
- A thue se ka dëme edhe në njerëz o Llesh? - foli Marku me zë të ulët.
- Patjetër se duhet të ketë. Tërmeti ka ra heret, plus se ka qenë edhe e diele dhe njerzit kan qenë ende brenda, por ti e di se këta nuk tregojnë. - foli Lleshi pothuajëse afër veshit të Markut.
- A e shef o Llesh se u desht sot radio e Shkurtit. Të gjithë i'u afruan, madje edhe Nikolli, sekretari i byrosë për të marr vesh për tërmetin. - foli Marku. - sa herë e kan kritukuar të shkretin Shkurt nëpër mbledhje se pse mban radio dore tek puna.
Ai që quhej Llesh i tha Markut, që ende e mbante dorën mbi kaptellin e samarit të gomarit.
- Eh mor Mark! Zoti është i madh. A e di se sot është e diela e Pashkëve?
- E di o Llesh, e di! Po ule zërin. - foli Marku duke shikuar nga unë e Leka.
- Dalshin fare, dalshin! - foli duke psherti thellë Lleshi
- Po ju pse nuk shkoni tani e të hidhni farë! A e shikoni se i lat puntorët pa punë! - na bërtiti ai që quhej Mark.
Unë e Leka menjëherë u larguam dhe vazhduam që të hidhnim farat e patates nëpër gropat e hapura.
Aty rreth mesditës na than që të linim punën. Të gjithë, i madh e i vogël u mblodhëm në një lëndinë afër një brinje që ishte e mbushur me gurë të mdhenj, që ndodhej sipër bllokut të arave ku po mbillnim patate. Pasi të gjithë zumë vend, para nesh dolën sekretari i byrosë së partisë së kooperativës, drejtori i shkollës, kryetari i këshillit të bashkuar, kryetari i kooperativës, kryetari i frontit dhe tri gra. Njëra nga gratë ishte sekretarja e organizatës-bazë të partisë së fshatit tonë, ndërsa dy të tjerat nuk i nihja.
I pari që mori fjalën ishte sekretari i byrosë së partisë i cili na njoftoj për tërmetin, për dëmet materiale që kishte shkatuar. Më tej na siguroj se partia i ka marr të gjitha masat. Njerzit tashmë jan sistemuar nëpër objektet social-kulturore dhe se shumë shpejt do të nisë eleminimi i pasojave të tërmetit. Më tej ai shtoi.
- "Ne nuk jemi si vendet borgjezo-revizioniste që në raste të tilla nuk pyesin për popullin e tyre. Besoj se keni dëgjuar me dhjetra raste ku tërmetet kan shkaktuar tragjedira në njerëz e banesa. Shteti nuk ka patur mundësi për përballimin e pasojave, aq sa ka kërkuar ndihmën e shteteve të tjera për nxjerrjen e viktimave nga rrënojat. Ka vetëm katër orë që ka ra tërmeti dhe tani nuk kemi fare njerëz poshtë rrënojave, për rrjedhojë nuk kemi as viktima. Vetëm ka të plagosur që tashmë jan nën kujdesin e mjekëve".
Sekretari i byrosë fjalimin e tij të gjatë, e mbylli me këto fjalë:
- "Shokë e shoqe! Partia jonë e lavdishme mendon vetëm për popullin, ndaj jemi populli më i privilegjuari dhe më i lumturi në botë. Këtë kujdes të pashemullt që tregon partia ndaj nesh, ne duhet t'ia shpërblejmë me punë e vigjilencë. Duhet t'a bëjmë natën ditë për t'a mbrojtur e forcuar pushtetin tonë popullorë që buron nga ju masat dhe që ushqehet pareshtur nga ideologjia Marksiste-Leniniste, që vetëm partia jonë e lavdishme po e mbron me konseguancë. Ne duhet që të punojmë e luftojmë pareshtur e me shpirtë sakrifice, pa kursyer as jetën për çështjen e socializmit dhe çuarjen përpara të revolucionit duke mbajtur ndezur luftën e klasave. Rrethohemi nga të katër anët me armiq shumë të egër, por nuk i kemi frikë. Të gjithëve i'ua kemi treguar vendin ndaj na kan zili dhe halë në sy për kalanë tonë të kuqe që kemi ngritur këtu në brigjet e Adriatikut. Rroftë PPSH-ja me në krye udhëheqësin tonë të dashur, të pavdekshëm dhe të lavdishëm!".
Pasi sekretari i byrosë mbaroj fjalimin, të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë duke duartrokitur e brohoritur aq sa ushtuan edhe malet përreth.
"Parti-Enver jemi gati kurdoherë"!
Më pas foli drejtori i shkollës dhe njëra nga gratë, ajo që ishte sekretarja e organizatës-bazë të partisë të fshatit tonë. Pasi u mbyllēn fjalimet, kryetari i këshillit të bashkuar n'a komunikoj që të bënim një gjysëm ore pushim për të hëngër buk dhe më pas të nisnim nga puna.
Unë me Lekën sapo u shpërndamë, morëm çantat ku kishim bukën, shkuam dhe u ulëm në hije të një lisi të vogël. Me vete kishim marr bukë misri, djathë dhe nga dy vezë të ziera. Për fat vezët nuk na ishin dëmtuar ndaj me Lekën nisëm që t'i rroknim. Kush i thyente vezën shokut, si rregull e merrte. Megjithëse me njërën vezë i'a theva të dya Lekës, nuk i zbatuam rregullat e lojës pasi nuk kishte me se t'a hante drekën. Kur ne po rroknim vezët aty pranë nesh kaloj ajo gruaja që ishte sektetare partie.
Sapo kishim nisur me Lekën që të hanim, aty na erdhi ai burri trupmadh dhe i thinjur që ishte sekretari i byrosë, drejtori i shkollës, mësuesi ynë kujdestarë dhe ajo gruaja që ishte sekretare partie.
Sapo ata u afruan pranë nesh, ne u ngritëm menjëherë në këmbë. Ai burri i thinjur që ishte sekretari i byrosë na pyeti.
- A dini të luani me vezë të ziera?!
- Po! - thamë ne njëzëri.
Më pas ai shtoi.
- Po na tregoni çfar keni marr për drekë me vete?
- Bukë, djathë dhe nga dy vezë të ziera. Ja ku i kemi, - fola unë njëkohësisht duke u përkulur për t'ia treguar.
- Po mishin, ku e latë, apo e hëngërt kur erdhëm ne?! - foli me kërcënim ai.
- Nuk kemi marr mish me vete se nuk kemi patur në shtëpi, - thashë unë si i zënë faj.
- Afrohu, afrohu pak këtu! - m'u drejtua me zë të vrazhdë sekretari i byrosë njëkohësisht duke u përkulur drejt meje, - lëshoje frymën nga goja?
Unë bëra ashtu siç më urdhëtoj ai.
- Po vezët e ziera pse i keni marr me vete, pse nuk i morët të skuqura? Ashtu jan edhe më të ushqyeshme.
Unë kisha ulur kokën dhe nuk dia se si t'i përgjigjesha.
- Të kujt jan këta kalamaj, a e dini?! - pyeti sekretari i byrosë të pranishmit.
- Po! - u përgjigj ajo gruaja që ishte sekretare partie. - jan të Ndue dhe Llesh Marndoit.
- Ahaaa! - i'a bëri sekretari i byrosë me një zë sikur vinte nga jehona e një shpelle.
Në atë çast n'a u afrua drejtori i shkollës. Ai i foli Lekës që ishte pas meje në këmbë, afër vendit ku kishim shtruar për të ngrënë.
- Afrohu, afrohu këtu edhe ti Lekë. - i foli drejtori ati.
Sapo Leka u çiftua me mua, drejtori shtoi.
- Edhe t'i Lekë e gjete sot që të marrësh vezë të ziera. Apo t'i dha Pashku.
Jo drejtor! - tha Leka me një zë gati në të qarë, - i mora nga shpia me bukën.
- Mirë, mirë! - tha drejtori.
Më pas ai m'u kthye mua.
- A keni zier shumë vezë mbrëmë?
- Jo! Vetëm këto të dya m'i zieu nëna sot në mëngjes që t'i merrja me vete me buk, - thashë unë.
- Shoku Zef! - i'u drejtua drejtorit sekretari i byrosë. - E di unë, e di se ai Ndue Marndoi nuk heq dorë nga e vjetra. E din shumë mirë që sot është e diela e Pashkëve dhe për të n'a sfiduar ne, pikërisht sot i jep djalit vezë të ziera me vete në aksion që t'a shohin të gjithë.
Unë me Lekën kishim ulur kokat dhe po rrinim gati duke qarë, sikur të ishim zënë në ndonjë faj të madh.
- Lekë! - urdhëroj drejtori, - merri vezët dhe hidhi.
- Po ne, me se do t'a hamë bukën? - mora guximin e fola unë.
- A e din ti more se sot ato vezë të ziera jan helm ideologjik! - foli me atë zërin e ashpër karakteristik sekretari i byrosë.
Në atë çast Leka shkoj aty ku kishim shtruar bukën për të ngrënë, mori të katër vezët dhe i flaku.
- Shoku Zef! - i'u drejtua sekretari i byrosë drejtorit të shkollës, - tregoja këti djalit të Ndoit se me se t'a hajë bukën sot!
Në atë çast drejtori m'u afrua njëkohësisht duke u matur që të më qëllonte me shpullë. Unë instiktivisht ngrita duart për të mbrojtur kokën. Në këtë çast drejtori bërtiti me të madhe.
- Uli more duart të thashë!
Menjëherë sapo ula duart ai më qëlloj rrufeshëm në të dya faqet me shpulla, aq fort sa sytë më lëshuan shkëndia. Më pas më qëlloj edhe pas qafe me një shpullë tjetër, njëkohësisht duke më bërtitur.
- Për stromën tënde dhe të familjes tuaj që doni të n'a kujtoni festat fetare po vonohet edhe nisja e aksionit tani. Koha juaj ka marrë fund njëherë e mirë. Tani shkoni me vrap aty ku jeni caktuar për të punuar. Me këtë çështje do të merremi seriozisht më vonë.
Mësuesi ynë kujdestarë po e shikonte skenēn si i habitur dhe nuk po fliste asnjë fjalë. Kur unë e Leka sapo morëm kusiat për të shkuar tek vendi ku merrej fara, pamë mësuesin tonë kujdestarë që po mblidhte me kujdes bukat dhe djathat tanë duke i futur në çantat tona.
* * *
Pasi vajti ora dy, ne nxënësve të shkollës na shpërndanë, ndërsa të rriturit vazhdonin punën.
Kur vajta në shtëpi gjeta vetëm gjyshen e cila ishte e ulur në shtratin e sajë. Ajo ishte e moshuar dhe vetëm deri në oborr mund të lëvizte me ndihmën e shkopit. Babai ishte turni parë në minierë, ndërsa nëna me motrën ishin në aksion atje ku ishim edhe ne nxënësit.
Sapo hyra brenda, gjyshja u gëzua shumë. Ajo e kishte ndier tërmetin por nuk dinte gjë se sa i fortë kishte qenë, apo nëse kishte shkatuar dëme në banesa apo njerëz. Ajo menjëherë më urdhëroj që të ndizja radion që të dëgjonim ndonjë lajm.
Sapo ndeza radion ajo në të orë po jepte muzikë filmash, ndaj gjyshja kërkoj që t'i shkoja pranë. Ajo u ngrit përgjysëm në shtrat dhe nisi të më pyeste.
A di gjë, a kishte ra i fortë ky tërmet sot në mëngjes?
Po! - i'u përgjigja unë, - ka ra mbi 7 ballë. Ka bërë dëme shumë të mëdha në rrethet Shkodër e Lezhë. Jan shem shumë shpia. Edhe këtu në Mirditë ka shem shpia, madje edhe në katundin tonë ka bërë dëme. Në lagjen atje poshtë arave ku po punonim kishte shembur edhe kullën e Bib Kolës. Disa të tjera kulla e shpia ishin plasarit shumë dhe u kishin ra shumë tjegulla përtokë.
- Po në Tiranë a kishte bërë dëme? - më pyeti gjyshja sapo unë mbarova fjalën,
- Jo, jo! Atje vetëm sa është ndier. Tërmet i fortë ka ra veç në Shkodër, Lezhë e Mirditë. Kështu na than kur na mblodhën në drekë. - e mbylla fjalën.
- Zoti është i madh, na tregoj me provë se jam këtu. Edhe sot të dielen e Pashkëve nuk na lēnë rehat. Ah sikur t'i kishte qit ujtë e zi Tiranës! - tha gjyshja me vete.
Në këtë kohë kur po fliste gjyshja, unë u ngrita pasi doja që të haja buk. Sapo u ngrita ajo më pyeti.
- Ku po shkon mor birë?
- Dua me hëngër buk, kam shumë uri, jemi lodh e këput. - thashë unë. - bukën e kam në çantë.
- Po pse nuk hëngre atje?! - tha gjyshja, - a të pat dhan buk me vete jot ëmë?
- Po, po nuk më lan me hēngër, - i thashë gjyshes.
A nuk u lan të gjithëve, apo vetēm ty? - pyeti gjyshja e cila nxori këmbët nga jorgani dhe u ngrit ndenjur në shtrat.
- Nuk më lan mua dhe Lekën, të tjerët hëngrën. - thashë unë.
- Po pse vetëm ju të dyve nuk i'u lan? - pyeti gjyshja.
- Kur shkuam me hëngër buk, unë e Leka patëm nga dy vezë të ziera dhe pasi nuk na qenë thyer, nisëm të loznim duke i rrokur. Në atë çast pranē nesh kaloj ajo Agia e Gjin Lleshit, ajo që është sekretare partie - thashë unë.
- Çfar u tha ajo?! - foli gjyshja njëkohësisht duke marr shkopin që e mbante tek koka e shtratit.
- Jo, jo! - u përgjigja, - ajo nuk na tha gjë, por na paditi tek sekretari i byrosë së partisë dhe tek drejtori. Sapo iku ajo nuk vonoj shumë dhe erdhën ata tek ne, sapo kishim nisur të hanim. Na i tretën vezët dhe mua më rrahu me shpulla drejtori.
- Jo more! - bërtiti gjyshja me atë zërin e sajë të dobsuar. - Ah mor birë, s'kam çka bëj se nuk kam gjujë, se i kisha shku qysh tani n'derë Gjin Lleshit. Çka i kam ba unë atyre që më lënë mecin pa buk gjithë ditën e ma rrahin. I vraftë Zoti, i vraftë! Do t'i vrasi një ditë, do t'i vrasi.
Pasi mallkoj njē copë herë, gjyshja m'u drejtua.
- Mirë, mirë! Merr e ha buk e pusho se je lodh e këput. Sa t'vijë Ndoi do t'i tregoj se ça t'kan bërë.
- Sapo mbarova së ngrëni, shkova në dhomë tek gjyshja.
Aty rreth orës pesë erdhi babai nga puna. Sapo hyri në oborr më pyeti.
- A ke ardhur heret nga aksioni?
- Ka rreth dy orë. Na liruan rreth orës dy, - thashë unë.
- A e ndigjuat atje ku ishit tërmetin? - pyeti babai.
- Po! - U përgjigja, - nuk e dëgjum tokën duke u dridhur, por pamë gurë që po rrokulliseshin nga shpati i malit sipër nesh. Ne nuk dinim gjë se pse po rrokulliseshin, veç kur mësuam më vonë nga të rriturit se ka ra tërmet. Kur po vinim tek shpia pamë se kishte shembur kullën e Bib Kolës. Disa kullave e shpiave u kishin ra shumë tjegulla pëtokë dhe ishin plasaritur.
- Mirë, mirë! - tha babai dhe nisi që t'i vijë rreth kullës për të parë nëse kishte pësuar ndonjë dëmtim.
Kur babai po hynte brenda më pyeti.
- A e pae nënën tënde me cucën atje tek aksioni?
- Jo, jo! Nuk i pashë, - u përgjigja unë njëkohësisht duke hyrë brenda pas babait, - ne na dërguan tek arat më në krye të bllokut, ndërsa puntorët e brigadës tonë i kishin çuar tek arat e përtejme, matanë përroit.
Sapo babai hyri brenda, gjyshja u gëzua shumë. Ashtu ndenjur në shtrat e mbështetur në shkopin e sajë që e mbante me të dyja duart, pasi i uroj mirseardhjen babait, ajo foli me entuziazëm.
- Shyqyr zotit që u ktheve shëndosh e mirë o Ndue! Që kurë ka ra tërmeti nuk m'ka zan vendi vend. Kishem merak se ka shem ndonjë galeri dhe i'u ka zan brenda.
Më pas gjyshja bëri kryqin duke i'u lutur Zotit.
- O Zot të qofshim falë, që ma prune djalin shëndosh e mirë. O e diela e Pashkëve. O Zot! N'a e ringjallë edhe ne shpresën e besimin ashtu si ringjalle birin tan t'Lumin Jezu Krisht, e na i hiq qafet këto zaptie t'pafe që na zunë frymën.
Pas lutjes ajo e pyeti babain.
- O Ndue! A more vesh gjë, a ka bërë shumë dëme ky tërmet? Edhe unë këtu në shtrat e kam ndierë bukur mirë. Në fillim erdhi si gjëmim. Në fillim kujtova se po mumuronte, por shumë shpejt u shkund e gjithë kulla.
- Ka qenë tërmet shumë i fortë o nënë, rreth 7 ballë e gjysëm. Ne ishim në frontin e punës, që është mbi 200 metra thellë. Sapo kishim ra në fund të pusit, pamë tek shembeshin lehtas copa gurësh. Në fillim kujtuam se do të kishte shemje ndaj të gjithë u strukëm tek pjesa e betonuar e pusit. Më vonë sinjalisti na njoftoj se ka ra tërmet. Aty tërmeti shkaktoi disa anomali, por shyqyr zotit nuk na shemi ndonjë pjesë të pusit, apo galerisë kryesote, se do të na kishte mbajtur brenda, - pëfundoj tregimin babai.
- A i rae rreth kullës me e pa? - pyeti gjyshja.
- Po, po, o nënë! Nuk kishte lujtur asgjë, - i'u përgjigj ai, - tani dua të ha diçja. Nuk pata kohë të haja në mencë pasi tërmeti në disa fronte pune na shkaktoi avari, po shyqyr zotit nuk dëmtoi njeri dhe as nuk shembi ndonjë galeri kryesore. Na u desh që të punonim edhe një orë e gjysëm jashtë orarit për të sistemuar avaritë që shkaktoi tërmeti.
Babai sapo mbaroj së ngrëni aty në kuzhinë, doli jashtë për të bërë ndonjë punë.
Gjyshja më pyeti.
- A di gjë nga shkoi Ndoi?
- Nuk e di o gjyshe, - u përgjigja, - sapo hëngri buk doli.
- Desha me i kallxue se ç'far të kan bërë ty. Ta die se t'kan rraf e lënë pa buk kot së koti.
Sapo nisi që të errej erdhën nga aksioni nëna dhe motra. Në atë çast gjyshja kishte dal në oborr dhe e mbështetur mbi shkopin e sajë po i thërriste tim eti. Kur nëna e dëgjoj gjyshen tek thërriste babain, ajo e pyeti.
- Pse po e thërret atë?
- Nuk e di nga humbi, - tha gjyshja, - edhe sonte që është e diela e Pashkëve nuk po vjen me pushue. Lopën e ka fut në kasolle. Nuk kemi tjetër punë pa bërë. Pata edhe një fjalë me të për punën e mecit.
- Çfar ka bë? - pyeti nëna me habi.
- Nuk ka bërë gjë Pashku jo, po ma kan rraf e lan pa buk.
- Kush? - pyeti nëna.
- I ka kallxue tek drejtori i shkollës dhe sekretari i byrosê ajo kurva e Gjin Lleshit, Agia. Pashku e Leka i Lleshit kishin lujtur me vezët duke i rrokur, e sa i kishte pa ajo kurva, menjëherë kishte shku e i'u kishte kallxu atyre. Sekretari i byrosë s'u kishte lan gjë pa thënë sepse kishin marr vezë të ziera sot të dielen e Pashkëve, pastaj kishte urdhëru Lekën me i tret vezët. Ai kishte fajsu mecin tonë se i ka than Lekës që të marrte edhe ai me vete në aksion vezë të ziera. Pastaj drejtori i shkollës e kishte rraf Pashkun tonë.
- Sapo gjyshja mbylli tregimin, ashtu e mbështetur në shkopin e sajë u nis për të hyrë brenda.
Pas pak hyri brenda babai. Ai u ul në vendin e tij dhe i'u drejtua nënës.
- Na e sajo ndonjë gjë për darkë, a e shikon se shkoj vonë.
Sapo babai mbaroj fjalën, menjëherë foli gjyshja ashu e ulur ndenjur mbi shtratin e sajë.
- O Ndue! Sot ajo kurva, ajo sekretarja e partisë e shoqja e Gjin Lleshit kishte pa t'u rrok vezët e ziera që i kishin marr me veti me buk Pashkun tonë e Lekën, mecin e Lleshit. I kishte kallxu tek sektetari i byrosë, e tek drejtori i shkollës. I'u kishin tret vezët, e mecin tonë e kishte rraf shumë drejtori i shkollës. - e mbylli fjalën gjyshja duke gulçuar thellë.
Në këtë çast babai i'u drejtua nënës.
- Harrova me t'porosit, që sot mos t'merrnit vezë të ziera me vete. E dinë edhe komunistët se sot është e diela e Pashkëve.
- Unë me cucën nuk morëm, për Pashkun nuk e dita se do t'a shikonin se çfar po ha. E di unë se ai veç me Lekën, nuk rrin me tjetër kan. - tha nëna.
Eh! Mirë, mirë! - tha babai, - ç'na paska qit punë të madhe kjo.
Sapo mbaroj fjalën babai, gjyshja i'u drejtua ati.
O Ndue! Pasi nuk është meci këtu e pata një fjalë me ju të dy.
Në atë çast që foli gjyshja, unë po matesha të hyja brenda, por u ndala pas derës të dëgjoja.
- Sonte është e diela e Pashkëve ndaj dua që të na mbytni atë gjelin e madh. Zoti sot foli me ne. Na tregoj se nuk n'a ka braktis. A e patë që lëshoj pikërisht sot një tërmet të fortë sa tundi mal e fushë e detë. Unë jam sot për nesër, por ju do t'ia mbrrini që këta që mohojnë Zot e Krisht, e nuk të lënë gjë pas shpirtit, shumë shpejt do të rrëzohen keq nga karrikja. Majeni men. - tha gjyshja dhe më pas u mbështet tek jasteku që i vendosi nëna.
Pas flalës së gjyshes, babai i'u drejtua asaj.
- Pa dëgjo o nënë! Këto fjalë si n'a i the ne, mos t'i përsërisish ven e pa ven. Mbështet kocit e rri urtë se do të na qesish punë.
Sapo mbaroj fjalën, babai i tha nënës.
- Shkojmë bashkë e t'a mbysim gjelin që të mos bëjmë zhurmë. Mos të na shofin e dëgjojnë shokët.
- Sapo babai u ngrit për të dal, pas tij u ngrit edhe nëna. Në këtë çast gjyshja shtoi.
- Pa ndaluni pak, naluni! Desh harrova. Sa të mbysni gjelin, ti Ndue shko tek muret e kishës, lutju Zotit, ndiz një qiri dylli e le noj lek. Qiriun e kam unë n'arkët. Sa t'mbaroni punë me gjelin hajde e merre qiriun. Zoti sot në këtë ditë të madhe të ringjalljes së Birit të tij Jezu Krishtit u shfaq para nesh. - foli gjyshja duke bërë kryq.
- S'kam se si t'shkoj moj nënë. Sonte na përgjojnë, e dinë se shkojnë njerëz tek muret e kishës. Ata që tani i kan qit rrugve duke përgjuar njësitet e organizatës së rinisë. - i tha babai gjyshes.
- O i vraftë Zoti i vraftë! - foli gjyshja duke puthur kryqin që mbante në qafë dhe më pas gulçoi thellë.
- O Zot na fal! - foli babi njëkohësisht duke hapur derën për të dal.
Sapo babai me nënën dolën në koridor, babai më pyeti.
- A e pae, ka shkoj cuca?
- Është tek kroj duke la teshat, - i tha nëna.
- Mirë pra, hajde e shkojm ku jemi nisur, - i tha babai nënës. Më pas m'u drejtua mua.
- Shko brenda e mos e le nënën vetëm.
Kur hyra brenda e gjeta gjyshen tek arka e sajë që e kishte afër shtratit tek këmbët. E kishte hapur dhe diçka po kërkonte. Kurr nuk e kisha parë arkën e gjyshes me kopakun hapur. Nga brenda kopakut të arkës, në krye të tij gjyshja kishte vendosur një kryq bukur të madh prej dylli. Ndërsa në të dy anët e kryqit kishte vendosur një kartolinë me fotografinë e Gjergj Kastriotit Skênderbeut dhe në anën tjetër një foto me ngjyra që nuk e kisha parë ndonjëherë kund. Ishte fotografia e një gruaje shumë të pashme me një fëmijë në krah. Vetëm pas disa vitesh e mora vesh se ajo ishte Zoja e Bekuar Maria, nëna e Jezu Krishtit.
Nga arka gjyshja nxori një mollë të verdhë që kishte një aromë shumë të mirë dhe m'a zgjati mua. Më pas nxori një kartmonedhë pesë lekshe dhe dy një lekëshe. Kartmonedhën pesë lekshe ma afroj pranë gojës dhe më urdhëroj që t'i fryja tri herë, ndërsa dy kartmonedhat një lekshe mi fali mua. Më pas ajo mori dhe diçka tjetër nga arka e sajë, por unë nuk e pashë pasi e mbështolli në një shami të zezë.
Gjyshja pasi mbylli arkën, mori shkopin në dorë dhe m'u drejtua.
- Mos u bëni merak për mua. Jam t'u dal pak jashtë që të marr frymë lirshëm pasi është koha e butë.
Kur gjyshja doli jashtë, unë shkova pas sajë deri në cep t'oborrit. Ajo duke u mbështetur mbi shkopin e sajë mori rrugën nga dera e zitit.
Pas një copë here babai erdhi në oborr dhe më pas nëna me një legen në dorë ku kishte futur gjelin. Babai i tha nënës.
- Futu shpejt brenda dhe lëshoj valë gjelit për t'i hjek puplat. Kam frikë se ka cof ka herë. Si paska qenë ngatrru n'at fe. Më pas babai m'u drejtu mua.
- Pse e le nënën vetëm? Qysh t'thashë? Mistrec!
- Gjyshja ka dal jashtë pak pas jush. Ajo hapi arkën, m'dha një mollë mua, mori do lek, pastaj mbështolli një gjë në një shami të zezë dhe doli. Ajo më tha që të mos të bëheshim merak, se du me marr pak ajër të pastër jashtë.
- Ku është ul, a e pae? - më tha babai.
- E pashë kur shkoj deri tek dera e zitit. Më tha se do të rri pak atje. - i thashë babait.
- Po pse nuk i shkove pas? A e di se ajo është e mbetme dhe nuk shikon mirë? - më bërtiti babai.
Në këtë çast kur babai po më fliste mua, në oborr dolën nëna dhe motra e cila erdhi nga kroi ku ishte duke larê rrobat.
- Çfar ndodhi, pse i fole ashtu mecit? - Pyeti nëna, babain.
- Nuk e di se nga humbi nëna. I thashë këtij mistrcit që të rrinte me të. Ky thotë se ka dal përtej zitit për të pushuar në ajrin e pastër. - tha babai.
- Mirë, se po dal unë dhe shikoj, - tha nëna.
Pas pak dëgjova nënën time që po i thërriste gjyshes, por nuk po përgjigjej njeri. Pas një copë here thirrjesh dhe kërkimesh nëna shkoj brenda dhe i tregoj babait se nuk e gjeti askund gjyshen.
Babai menjëherë u ngrit në këmbë dhe gati sa nuk bërtiti.
- Mos more! Për ungjill të Shën Markut qenka nisur me shku tek kisha me ndez qirin. Ajo nuk ka takat me dal as n'oborr, e jo më me shku tek kisha. O Zot mos na marro në këtë natë të madhe! Kam frikë se na është rrëzu kund. Ajo ka mbi gjashtë muaj që mezi del n'oborr me bërë shërbimet personale të saja, e jo më me shku tek kisha.
Më pas babai i'u drejtua nënës.
- Merr cucën e shkoni shpejt andej nga kisha. Kini kujdes se po i'u shikon njeri, pasi sonte mund të kenë vënë roje njësitet e rinisë.
Rrënojat e kishës nuk ishin më shumë se 400 metra larg shtêpisë tonë.
Gjyshja kishte mundur që t'i shmangej syrit të njësit të rinisë që patrullionte rrugës që të shpinte tek rrënojat e kishës. Ajo kishte mundur që të linte lekët, madje të ndizte edhe qiriun. Më pas ajo kishte marr rugën e kthimit nga ana e përroit për t'iu shmangur njësiteve.
Nëna me motrën ishin detyruar që të fshiheshin një copë herë pasi kishin ndeshur në një njësit. Ato kishin marr rrugën buzë përroit të vogël për t'iu larguar rrezikut. Kur ato sapo kishin dal nga një zonë me pisha të vogla të dendura kishin ndeshur në gjyshen. E cila po ecte e përkulur duke u mbështetur me të dya duart në shkopin e sajë. Ato e njohën vetëm nga frymëmartja e sajë që e shoqëronte duke gulçuar thellë. Kjo i gëzoi pa masë.
Kur erdhën në shtëpi, gjyshja nuk u shtri si zakonisht në shtratin e sjë, por qëndroj ndenjur me kënbët në dysheme dhe ashtu e bështetur me të dya duart në shkopin e sajë nisi të tregonte se si kishte mundur të shkonte deri tek rrënojat e Kishës.
- Sot me të vërtetë ka bërë Zoti nrekulli. A e patë, lëshoj tërmetin e fortë në këtë ditë të madhe duke na dhënë shenjën se nuk na ka braktisur. Ju nuk mund të shkonit se ju ndiqnin. Unë mendova se çfar do të më bënin mua plakës nëse do të më zinin. Ndaj unë mora një qiri dylli që kisha në fund t'arkës, mora dhe do lek, vesha atë fundin e zi që vesh Liza kur u shërben perimeve dhe u nisa. A e dini se vetë Zoti më mori për dore. Ju e dini se nuk shoh mirë nga sytë ditën, e jo më natën. Le që ka rreth gjashtë muaj që unë mezi kam dal në oborr, ndërsa sonte nuk kam pushu kërkund, vetëm jam ndal pak pasi kalun dy vetë me vrap, mu duk se po ndiqnin ndonjë që e kishin pikas duke shku tek kisha. Kur shkova tek rrënojat ku ka qenë l'teri gjeta disa qiri dylli që i kishin fik, coptue e lëshu në tokë. Për fat nuk gjeta njeri, ndeza qirin, thashë uratë, mshefa nën një rrasë lekët dhe u nisa për të ardhur tek shpia. O Zot të qofsha falë që më more për dore për t'u fal tek shtëpia jote që na e shembën të pa fetë. - Pasi tha këto fjalë, ajo i'u drejtua babait.
- Mos u mërzitni se e kan rraf mecin. Edhe të Lumin Jezu Krisht e kan rraf, deri në vdekje, por është ringjall pasi kishte besim të patundur tek Ati i Tij i Lumi Zot. Tani na pregatitni darkën se do të ha edhe unë me ju.
Ndonse gjyshja kishte rreth gjashtë muaj që nuk ishte ulur në sofër me ne, çuditërisht atë natë të së deles së Pashkëve ndenji deri në fund.
Të nesërmen në mëngjes kur vajta në shkollë, nxënësit nisën që të më shikonin me habi. Kjo më bëri përshtypje të madhe. Sapo hyra në koridorin e shkollës, pashtë tek këndi i Emulacionit Socialist të shkollës një grumbull nxënënësish që po lexonin diçka. Kur u afrova, ç'të shikoja. Ishte vendosur një Fletë-Rrufe e madhe me një karikaturë që ishte një njeri i shëmtuar që mbante në dorë një vezë mbi të cilën ishte pikturuar një kryq i shfytyruar. Kjo fletë-Rrufe më drejtohej mua si mbartës dhe përhapës i shfaqeve të huaja dhe i mbeturinave fetare. Edhe në këndin e Emulacionit Socialist të kooperativës ishte vendosur një Fletë-Rrufe me karikaturë dhe motivacion të njejtë, që i'u drejtohej prindërve të mi...

Komente 0