>
LETERSISHQIP
Preng S. Gjikolaj

Ju Knove Me Vargje T'muzikueme T'gjithave

Poetit Gjok Beci
Vargjet e tua t'muzikume hynë nër ne,
hynë vrullshëm si lumej t'rrëmbye.
Si flladi ledhatues i pranverës lulzume,
si vetëtima ndër qiej t'ndezun me yje.

Hynë nër ne si cicërima e zogjve kangatarë,
Si dritë e hanës n'mes t'natës pis t'zezë.
Si drita jetëdhënëse e diellit rrezearë,
hynë dhe mbetën ashtu si edhe ju nër ne.

J'u knove me vargje t'muzikume t'gjithave.
Zogjve kangatarë, fluturave e erës flladitëse,
Lumit e detit, qiellit t'Zotit e tokës jetëve,
Gurëve t'lumit, brijave, rrugëve e shtigjeve.

J'u knove shqipeve symprehta nër maja t'nalta,
simbol i qnisun n'fushë t'kuqe t'flamurit.
I knove fyllit melodioz t'bariut nër dele t'bardha,
telit t'lahutës ilirjane që jehonte nër kullat e gurit.

I knove diellit e hanës n'at buzë t'Valmorit,
borës e blerimit nër lugjet e brijat e Kunorës.
I knove Zajsit që t'lindi e rriti si n'gji t'Krishtit Zotit,
livadheve, lugjeve e hurdhave ku rritet lulja e Zojës.

I knove Gurit Gjon, Mullit, Didhes e Kroit t'bardhë,
që lufton t'gjitha smunjet me ujin e tij qelibarë.
U thure vargje lumejve t'kaltër Flim e Urakë,
që rrjedhin rrëmbyshëm ushqye nga borë e Kunorës naltë.

I knove pendarit t'qeve nër arat e bukës,
kostarit zhdërvjelltë nër livadhe e lugje.
Zanave t'malit, nuseve e cucave t'Selitës.
I knove t'bukurës, dashtnisë, j'u knove t'gjithave.

J'u knove trimave që jetën falën për liri t'shqiptarit,
shokëve e miqëve poetë e kangatarë.
I knove vorrit t'bariut lal Avdisë atje n'Qaf t'ahit,
që prehet n'livadhet atje nalt n'Valmorë

I knove Selitës, Mirditës e marë Shqipnisë,
Dardanisë, Malsisë e Luginës Preshevës,
pa harru, Kumanovë, Tetovë e Shkupin e lirisë.
I knove Manastirit t'ABC-së shqiptarisë.
I knove Çamërisë, nër trojet tona ma t'vujtunës.

J'u knove trimave tanë ilirianë e arbnorë,
Gjergjit t'Kastriotëve, yllit t' dritës europiane.
J'u knove t'gjithë trimave që ranë dëshmorë.
I knove Ushtrisë Çlirimtare, t'heroikes Dardane.

Vargu yt i muzikue jehon n'skena e festivale,
jehon si bubullimë e shiut t'artë t'verës.
Jehon i vlersu me çmime t'para e medalje.
Jehon nga ju Poeti Komtarë, Mjeshtër i Madh i Penës,
gdhendun nër shqiptarë n'memorie e n'gjakun e zemrës.
Korrik 2022

DËRGOI: