>
LETERSISHQIP
Sinan Kërpaçi

Ka Lënë Orën

Nëna iku e më la orën e murit,
më la orën që bën tik-tak.
Nëna iku, por jo larg:
deri tek i madhi
për pak ditë,
për pak.

Nuk i duhet për kohën e ilaçeve,
është më shumë se kaq, më shumë:
mat kohën kur dal dhe kthehem unë.

Mbrëmë gjeta forca dhe u thashë:
nesër, kur ajo të dalë,
mua më lini në gjumë.

Për pak ditë nëna ka ikur te vëllai,
për pak,
ka lënë orën që bën tik-tak.