>
LETERSISHQIP
Alban Kënuti

Malli I Vegjëlisë

Si brez i para '90-ës
Në një ditë me shi,
Më kapi mall i nostalgjisë
Për vitet e vegjëlisë.

Ato vite të bukura
Të fëmijërisë,
Kur, tok me moshatarë,
Rriteshim bashkë çdo ditë.

Aty poshtë pallatit
Gjithë ditën në oborr,
Luanim lojërat tona,
Me këmbë e me dorë.

Ishin vitet kur s’kishim
Asnjë lodër elektronike,
I ndanim midis nesh
Ato prej druri e plastike.

Me imagjinatën tonë,
Plot krijimtari,
Formonim lodrat tona,
Me letra e kartona.

E vrisnim mendjen tonë,
Guxim e fantazi,
Krijonim plot lojëra,
Me shumë dashuri.

Topat tanë
Prej llastiku,
Shpesh i mbushnim
Me lesh jastiku.

Lojërat tona me top
Në portë a në grop,
Zbathur, pa sandale,
Asnjë plagë, fare.

Luanim me pulla poste
Nga të vendit dhe të jashtme,
Lart në ajër i përdridhnim,
Kokë a pil, si të binin.

Po kur luanim
Me kopaca,
Që ishin kopsat
E palltove të gjata…

Shpiknim lloj-lloj lojrash,
Ato me tituj filmash,
E pastaj vijonim
Me targa makinash.

Karrocat me kuzhineta,
Shpikje e paparë,
Sa shumë lart e poshtë,
Ato i kemi ngarë.

Lojërat me pinca
Arrinin kulmin,
Kur majën e saj
Në tokë e ngulnim.

Balonën tahuke
Dhe atë tabake,
Kush më mirë e nxirrte,
Aq më lart e ngrinte.

Kur shikonim filma
Ku luante Herkuli,
Me arkat e markatës
Krijonim shpata druri.

Kapakun e tenxheres,
E kthenim në mburojë.
'Luftonim' njëri - tjetrin,
Imitonim, heronjë.

Loja me peta
Prej guri të sheshtë,
Me shkumës bënim vizat,
Për kuadratet rresht.

Pastaj litarin merrnim,
Dy veta seç e tundnin,
Pasi bënim trenin,
Hidheshim dhe kërcenim.

Loja me cingla druri
Shumë na u vra gjuri,
E godisnim fort,
Që mos e kapnin dot.

Shishes së kosit
i merrnim kapakun,
dhe ashtu, me shapka,
luanim: “Kapaçka”.

Me një tel të fortë rrethor,
E një të gjatë në dorë,
Në fund i bënim një grep,
Rrethin shtynim, ai ecte vet.

Përmes lojës kala dibranëshe
Mbi shpinë u hidheshim,
Shokëve tanë,
Ç'kurriz të fortë kishim!

"E ka kush e ka"
Një lojë shumë aktive,
Sa shumë që vraponim,
Shoku shokun gjëmonim.

Se desh harrova,
"Hapa - dollapa",
Ose "Sylla – mbylla",
Mu aty tek shtylla.

Këto e shumë të tjera
Me mall e nostalgji,
Mu kujtuan befas
Në një ditë me shi…
28 shtator 2025.
Dedikuar ish-shokëve të fëmijërisë së viteve '80, Pallati 165 me tulla silikate, Rr. Tanush Frashëri, Kombinat, Tiranë, dhe të gjithë ata që, edhe pse kanë kaluar vitet, ende ndjejnë mallin për ato ditë kur çdo lodër dhe çdo lojë ishin plot lumturi.