>
LETERSISHQIP
Alban Kënuti

Mësuesit Shqiptarë

Në Korçë u ndez një dritë,
Më 7 Marsin e artë,
Mësonjëtorja e parë
Nisi misionin e lartë.

Në bangat e drunjta,
Apo ulur përdhe,
U shkrua për herë të parë
Fjala e shenjtë “Atdhe”.

Mësuesit, të përulur,
Me shpirtin plot zjarr,
U mësonin fëmijëve
Shqipen me mall.

Jo vetëm shkronja,
Por dashuri dhe shpresë,
Se fjala “Shqipëri”
Kurrë s’do të vdesë!

Në çdo cep të vendit,
Në çdo shkollë sot,
Rron drita e Korçës
Që ndriçon nga mot.

Mësues të nderuar!
Ju që dritë shpërndani,
Në duart tuaja rritet
Shpresa e këtij vatani.

Sot përulemi me nder
Përpara këtij misioni,
Se përmes dijes dhe fjalës
Atdheun çdo ditë ndërtoni.
© 1 mars 2026.
Për 7 Marsin 1887, Mësonjëtoren e Parë Shqipe të Djemve në Korçë, drejtuar nga Pandeli Sotiri, dhe për 23 Tetorin 1891, Mësonjëtoren e Parë Shqipe të Vashave në Korçë, drejtuar nga familja Qiriazi, ky është një vlerësim për mësueset dhe mësuesit shqiptarë që, me dashuri e përkushtim, mbjellin dritën e dijes në zemrat e brezave dhe mbajnë gjallë frymën e gjuhës dhe të Atdheut.