>
LETERSISHQIP
Alban Kënuti

Shiu I Vërtetë

Mbarova punë dhe jam për shtëpi,
Tej dritareve shoh, po binte shi,
Sa rehat jam këtu në kullë!
Kur të dalë në rrugë, do bëhem qull.

Mora ashensorin, me përtesë zbrita.
Po për çudi, poshtë kur arrita,
Shiu që nga dritarja s’kish të mbaruar,
Për fat, ai kishte pushuar.

Rrugët e lagura nga shiu i ndaluar,
Pellgje uji kudo janë krijuar.
Makinat ngutshëm në to fusin një rrotë,
Uji i pistë rrobat m’i ndot.

Pastroj teshat nga uji i zi,
Shaj nëpër dhëmbë, s'di se si.
Pastaj nis të ec, se nata po bie,
Errësira në gjendje makthi më shpie.

Nxitoj hapin, trotuarët lë pas.
Semaforë dhe sirena emergjence,
Njerëz të panjohur ngado këmbej,
Kokën prapa, s’e kthej.

Në vitrina restorantesh llamburitëse,
Dritat vezullojnë si yjet në galaktikë.
Njerëz që hanë dhe pijnë,
Brenda tyre ka dëfrim me muzikë.

Në një kthesë disi të errët,
Një fantazmë shtrirë përtokë.
Diçka kërkon që të thotë,
Përpiqet, po s’e thotë dot.

Afrohem ngadalë, ta ndihmoj,
Diçka prej tij për të kuptuar.
Por sa më pranë që i shkoj,
Era e alkoolit hundën ma shpoi.

E duroj disi atë erë,
Ndonëse dhe vetë po më përzihet,
Atij sytë i shkëlqyen,
Ma bëri me shenjë e më tha:
"Raki ende po më pihet."

E lë të gjorin në hallin e vet,
Se nata po afron me ritëm të lartë.
Kur befas me këmbë desh e shkela,
Një mesoburrë, gjysmë sakat.

Një dorë e tij, zgjatur drejt meje,
Lëmoshë migjeniane më kërkon.
Rrëmoj nëpër xhepa për monedhë,
E gjej dhe në filxhan ia lëshoj.

Lë pas burrin dhe vijoj rrugën,
Por një dorë mbi sup më troket.
Si statujë qëndroj një hop,
Instinktivisht kokën e kthej.

Personi që hapin më ndali,
Më vështron në sy si i marrë.
Me leshrat shpupuritur mbi ball,
I habitur më thotë: “Më fal!”

As më njihte, as e njihja,
Kushedi me kë i ngjasova.
Tunda kokën me mirësjellje,
Dhe rrugën më tej vijova.

Them me vete disa fjalë,
Ndoshta një lutje përsëri.
Nuk doja më që rrugën
Të ma ndërpriste asnjeri.

Fatmirësisht pa rënë nata,
Shquaj shtëpinë nga larg.
Ndriçojnë dritat e mbrëmjes,
Por një makinë sërish më lag.

Eh, uji i rrugës, vetë balta,
S’do na ndahen kurrë në jetë.
Prandaj lutuni të lagemi,
Nga shiu i pastër, i vërtetë!
© 1 shkurt 2026.
Për ata që u lagën nga jeta, jo nga shiu.