>
LETERSISHQIP
Alban Kënuti

Nostalgjia E Vitit Të Ri

Në kohët dikur,
Babagjyshi niste festën,
Derisa Vitit të Ri
I linte stafetën.

Ishte një Babagjysh,
I veshur në të kuqe,
Dhe Viti i Ri një fëmijë
Me buzët si burbuqe.

Sa fort e përjetonim,
Dikur Vitin e Ri,
Ishte gëzim i madh
Për të rritur e fëmijë.

Përpara televizorit,
Programin shikonim,
Këngët edhe vallet
Sa shumë i përjetonim.

Po edhe humorin,
Të bukur e me kuptim,
Qeshnin fort të rriturit,
Pas tyre dhe ne fëmijt.

Tavolina plot
Me ushqime të shijshme,
Dhe në mes të saj
Gjeli i detit ishte.

Po të mos kishim gjel,
Nga ai i detit,
Do kishim patjetër
Pulë nga të kotecit.

Birra, aranxhata
Verë edhe raki,
Të gjithë bënim urimin:
Gëzuar Vitin e Ri!

Në ora dymbëdhjetë,
Disa fishekzjarre
Hidheshin lart në qiell,
Natën e zbardhin fare.

Mezi që e prisnim,
Të vinte bakllavaja,
Bërë me njëqind petë,
Mbushur plot me arra.

Më pas nisnin vizitat,
Tek njëri-tjetri,
Komshinjve u shkonim,
Dhe ata na e kthenin.

Ishim aq të ngopur,
Qerasjen e refuzonim,
Dhe me shumë zili
Tabakanë shikonim.

Deri nga ora 2,
E mëngjesit të ri,
Vijonim vizitat
Nëpër komshij.

O çfarë harmonie,
Që kishin të gjithë.
Nuk shikohej fare
Pamja e shtëpisë.

As çfarë u nxirrte
Miqve për t’i qerasur,
Mjaftonte veç fakti
Që u kishim ardhur.

Data 1 janar
Na gjente të gëzuar,
Se një natë më parë
Shumë kishim festuar.

Shokëve u treguam,
Natën si e kaluam,
Njëri-tjetrin dëgjonim,
Sy më sy shikonim.

Pastaj me prindërit
Shkonim për vizitë,
Tek njerëzit e afërt
Dhe ata në fis.

Nga gjyshi dhe gjyshja,
Te halla dhe xhaja,
Dhe më pas vijonim
Te tezja dhe daja.

Një vit i tërë jetohej,
Veç për atë ditë,
Për tavolinat plot
Dhe vizitat tek miqtë.

Dita e bollëkut,
Dita e haresë,
Dita plot magji,
Për ne fëmijët ishte:
Nata e Vitit të Ri.
© 15 Dhjetor 2025.
Për çdo fëmijë që ka pasur ëndrrat më të bukura në natën e Vitit të Ri përpara vitit 1990, për çdo familje që ka mbushur, me aq sa ka mundur, tavolinën me gëzim dhe shpresë, ku çdo festë mbante shijen e thjeshtësisë dhe magjisë të padukshme. Kjo poezi është për ata që mbajnë në shpirt vlerat e traditës dhe i kalojnë ato nga brezi në brez.