>
LETERSISHQIP
Alban Kënuti

Shqipëri E Harruar

Kthimi pas në kohë,
në vitet nëntëdhjetë,
më bën të reflektoj
për një të vërtetë.

Kjo e vërtetë,
që po e konkretizoj,
në këtë poezi
po e kristalizoj.

I kushtohet atyre,
që si shpresë e madhe erdhën,
por me paudhësitë e tyre,
si lopa, qumështin derdhën.

Dhe shkatërruan mbi të gjitha
stolinë tonë, Shqipërinë.
Iu vërsulën asaj
dhe ia morën virgjërinë.

Mbase, ngaqë prej të marrëve
për 45 vjet iu prish fara,
kishte nevojë të harbohej
me të parin që i doli përpara.

Por ky nuk ishte
veprimi më fatal,
ndonëse do duhej
që t’u thuhej: Ndal!

Përmbi çdo gjë,
u prish karakteri,
sepse ra përtokë
respekti edhe nderi.

Thanë: “Rroftë demokracia, rroftë liria!”
por në liri pa rregulla e pa kufi,
teveqeli ngriti kokën
dhe bëri kërdi.

Na e punuan prapa shpinës,
ku na premtuan Evropën,
po në vend të saj,
na dhanë veç rrotën.

Por jo, s’ishte rrota e qerres
që sjell zhvillimin,
po e rrumpallës
që solli mjerimin.

Na verboi liria
pa kufi,
dhe lakmia e madhe
për pasuri;

Na u ndjell zilia
ndaj tjetrit,
dhe na humbi dhembshuria
ndaj fatkeqit;

Na u vlerësua padituria
si virtyt,
dhe u lartësua mediokriteti
që na zuri sytë;

Na mungoi modestia
se na dukej pa vlerë,
dhe të vlerë quajtëm
ato qenie pa karakter;

Na u desh të paaftin
ta ngrinim në piedestal,
intelektuali u përçmua
e hodhëm në pazar;

Na u rrit epshi
i papërmbajtur,
dhe humbëm busullën
për të qenë mendjehapur;

Na u zhvlerësua
ndjenja njerëzore,
dhe na u ringjallën
instinktet kafshërore;

Nuk dinim më
ç’ish dashuria,
dhe lejuam të na hyjë
sherri nëpër shtëpia;

Na u shtua uni
se kushedi çfarë ishim,
ku ndërkohë ndërgjegjen
përtokë e kishim.

Nuk u treguam mirënjohës,
që lindëm në këtë tokë të bekuar,
por s’lamë rast pa e nëmur,
sikur të ishte tokë e shkretuar.

Ndoshta, Shqipëria s’u bë
ashtu siç në ’90-ën e donim, unë e ti,
po edhe kështu siç u bë,
do ta pranojmë: thjesht, Shqipëri!
© 22 mars 2026.
Një pasqyrë e brendshme e viteve të vështira pas ardhjes së demokracisë, ku humbjet njerëzore lanë vraga, dhe shkatërrimet materiale lanë shenja të pashlyeshme.