>
LETERSISHQIP
Alban Kënuti

Kujtime Të Lagura

Shiu vjeshtak me ritëm bie,
Mbi pullaz bën trak e truk.
Pikat e tua më japin shije,
Shijen e një nate pa gjumë.

Gjumi i natës, larg më iku,
S’e di as vetë se ku.
Kush vallë atë ma mori?
Ndoshta ishin sytë e tu.

Ai sy blu si deti,
Tejpërtej zemrën ma shpoi.
Sa t’i pashë, u dashurova,
Ato kurrë s’do t’i harroj.

E kujtoj atë çast,
Ku çdo fjalë mbeti jetim.
Heshtja u bë mbretëresha,
Që plagosi shpirtin tim.

Tashmë ti s’je me mua,
Po diku larg nëpër botë,
Unë rri zgjuar, pagjumë,
Dua të fle, por është e kot.

Në këtë natën me shi,
Mungesa jote më thërret,
Ëndrrat e dikurshme më shfaqen,
Si një vegim në sy m’ke mbet.

Pse o shi, o vjeshtak,
Më zgjove befas në këtë natë?
Pikat që gjumin ma morën,
Kujtimet e vjetra më sollën.

Por pishman nuk bëhem,
As peng i së kaluarës,
Çfarë kaluam bashkë,
Le t’i mbetet të shkuarës.

Drita lë pas natën që shkon,
Zogjtë në agim kërkojnë qiellin.
Errësira largohet bashkë me shiun,
Shpresë e re lind me diellin.
© 1 Dhjetor 2025.
Për ata që kuptojnë se shiu është pasqyra e kujtimeve që, ndonëse të shkuara, vazhdojnë të ndriçojnë çdo hap që hedhim, pa mbetur peng i tyre.