>
LETERSISHQIP
Alban Kënuti

Në Heshtjen E Dashurisë

Hyrje

Mos përto, ta lexosh,
Se në fund do më kuptosh.
S’kam qëllim t’ju jap mend,
ndoshta veten këtu e gjen

Pjesa I – Dashuri e pathënë

Të dua në mëngjes,
Të dua në mbrëmje,
Të dua në heshtje,
Atëherë kur meditoj.

Edhe kur s’ta them,
Edhe kur s’ta shpreh,
Dashuria për ty
Në shpirt më rri fsheh.

Zhytur në mendime,
Imagjinatën bluaj,
Kjo mungesë guximi
Po më bën të vuaj.

A duhet të shpërthej,
Porsi një vullkan,
Të të them: “Të dua,”
Që të të kem pranë?

Apo me heshtje
Këtë ndjenjë ta kaloj,
Me shpresën që ti
Vetë do ta kuptosh?

Eh, dyshoj fort,
As vetë s’di sesi;
A mos vallë ti ndjen
Për mua dashuri?

Sa herë sytë na puqen,
Vështrimet kryqëzohen;
Bëj të të them: “Të dua,”
S’e di pse bllokohem.

Mbase e pres nga ti,
Këtë iniciativë;
Kjo pritje pafund
Po më vë përfund.

I them vetes shpesh:
“Hë… se i them nesër,
Nesër, nesër, nesër…”
Një pafundësi bosh.

Shikoj atje tej
Një çift përqafuar,
Gushë më gushë flasin
Si të përmalluar.

Një ndjenjë zilie
Mendjen ma përshkron,
Përzierje xhelozie
Shpirtin ma trazon.

Sa bukur, mrekulli!
Këto pamje dashurie
Më japin frymëzim
Dhe më shtojnë guxim.

Sërish betohem:
“Nesër do t’ia them.”
Por e nesërmja, kur gdhihem,
Në pikën zero më kthen…

Pjesa II – Dritë në tunel

Të flasësh për ndjenjën
Nuk është turp i zi,
Edhe nëse një JO,
Vjen si stuhi.

Dashuria është dritë
Që s’vdes kurrë në zemër,
Kur e ndjen me shpirt
Thuaje me zë dhe emër.

Gjatë po hezitove
Dhe ndjenjën ta vonosh,
Dashurinë do humbësh
Veten do lëndosh.

Zhgënjimet e përziera
Në tunelin e dashurisë,
Të mbysin përbrenda
Dhe nuk sheh më dritë.

Është ajo dritë
Që brenda ti e ke,
Nga thellësia e shpirtit
Nxirre dhe shpërthe.

Dritë në tunel,
Është shpresë e madhe
Vrapo shpejt, ndiqe
Se tregon rrugëdalje.

Fito vetëbesim
Dhe ec përpara,
Mposhte frikën tënde,
Që të të vijë e mbara…
25 shtator 2025.
Kjo poezi u kushtohet atyre që ndiejnë thellë, por hezitojnë të flasin. Atyre që mendojnë pafund, por i mposht frika ose dyshimi. Që humbasin njëri-tjetrin pa fjalë, vetëm sepse pritën shumë gjatë. Por edhe atyre që, pas gjithë kësaj pritjeje, gjejnë guximin të flasin. Të ndajnë atë që dikur fshihnin, me shpresë, me zemër, me zë.