>
LETERSISHQIP
Aurela Tafa

Pa Maskë

Sa shpesh vetja më del prej duarsh,
e sillem porsi një fëmijë.
Harroj të vë maskën që nevojitet,
shfaqem siç jam — me çiltërsi.

Pastaj goditjet më vijnë radhë,
e s’di të mbrohem, s’di se si.
Me zemrën copë, strukem ndër cepa,
kërkoj një strehëz — pak dashuri.

Ah sa e akulltë kjo botë mizore…
Pa maskë, për mua askund s’ka vend.
Por unë, e gjora, që s’jam e aftë —
s’e mbaj dot maskën… sa e pamend!

Si s’vura mend unë, torollakja,
përherë të njëjtat mangësi…
Kjo botë mua nuk ma ka ngenë,
të më trajtojë me dashuri.