>
LETERSISHQIP
Fatos Luta

Gravurë Pandemie

Jeta shëmbëllen me një gravurë,
Pa ngjyra e pa zogj, diell të zënë;
Detrat pa flotë e lumenjtë pa urë,
Netë pranverore pa yje, pa Hënë.

E drejta e njeriut...mbetet në letër,
Ligje të reja, me tjetër kushtetutë;
Kur qemë të lirë, ishim si mbretër,
Tanimë kokëulur, si robër në luftë.

Ushtritë e Botës lozin plestejshën,
Së shumti: Ndajnë ushqime, ilaçe!
Nuk ka armiq kujt t’i ngërdheshen,
Armët duken lule, si dhurata paqe.

T’gjelbërit festojnë pashkë këtë vit,
Sa kishin luftuar për qiell pa smog!
Demokracitë e Planetit, pa opozitë,
S’ka lajme: U takuan kokë më kokë...

S'ka Mesi, Ronaldo, s’ka më tifozë,
S'ka kinema dhe as solistë në kore;
S’ka lajm vipi e as prapaskena rozë,
As Don Zhuan të ndërrojë dashnore...

..Jemi në gravurë, si pikla lapsi të zi,
Veç zgjaten eventet të lëna në stok!
(Do të shkoja mes prillit në Shqipëri,
E n'Arles, për një kafe në Van Gogh)

Por, të sjellim ngjyra jete në kujtesë,
Të zbatojmë ligje, të jemi shembull!
Për vete e të tjerët, të bëjmë kujdes,
Derisa ky virus...të tretet si mjegull!

Sigurisht, gravura do rimarrë ngjyrë,
Dhe të mëdhenjtë do lozin si fëmijtë!
Mandej...Bota do e kryejë një detyrë:
Do t'i sheshojë përgjithmonë kufijtë!
04/04/2020