>
LETERSISHQIP
Fatos Luta

Një Çerek Shekulli

Atë ditë gushti ndërmorëm një aventurë,
Sot duket normale, biles si përkujtimore!
Tokat i lamë djerrë, s'mbillej më as grurë,
Kishin ngelur n'vend, akrepat e asaj ore...

Lufta e ftohtë e goditi Botën, si një stuhi,
E vorbulla, si para shekujsh na rrëmbeu;
Të hipur nëpër ëndrra, zbarkuam në Itali,
Si arbëreshët tanë, kur vdiq Skënderbeu.

Ardhja moderne s'është si kohë me vela,
Arbërit morën lotë-malli, në torba kurbeti;
Morën këngë ndër buzë, edhe fustanella,
E koka nga lind dielli, gjithë jetën u mbeti.

Ne përjetuam, mall-çmallim, ikje e ardhje,
Ata i ndërtuan muret, me frëngji nga deti;
Gdhendën mall Atdheu ndër këngë, valle,
Gjuhën arbërore, asnjë vullkan s'ua treti.

Iku një çerek shekulli, nga skafi-aventurë,
Ne vemi e vimë, u integruam dalëngadalë;
Por, s'hoqëm dorë kurrë, t'çonim një tullë,
Edhe kur kishte dallgë, na ngjante si valë...
14/08/2019