>
LETERSISHQIP
Fatos Luta

Tek Futem Në Korçë…

Era po i lëvizka retë, si bariu kopenë,
Dhe n’vesh më vijnë tinguj melodish;
T’jetë fyell bariu apo nota nga Alienë,
Ajo RE maxhore si një zile mes dhish?

Ashtu si i dehur, e mbaj frymën gjatë,
Jam a jo n’Korçë, mes telave në kitarë?
Apo, alienët të kenë mësuar serenatë,
T’kenë zbritur t’këndojnë me korçarë?

"Është këngë e bukuroshes, bre djalë!"
Sikur po më thoshte ai zë brenda resh;
M’u mbushën sytë, oh, sa paskam mall!
Çupka më tund dorën e më buzëqesh…