>
LETERSISHQIP
Luan Sheshi

Ç'ke Kështu Moj Pyllnajë?

Ç'ke kështu moj pyllnajë,
maji lule të hodhi përsipër,
hall me ty desha të ndajë,
brengën tënde pa e ditur...

Degë-gjelbërat lart harlisur,
mëngët varura mbi tapet,
cicërimat të kanë bezdisur,
natës shurdhe flen e qetë...

Ujërat gjoksin ta freskojnë,
mes për mes e kryq-tërthor,
dhe bilbilat seç bilbilojnë,
në kullot desh me këmbor...

Ç'ke kështu moj pyllnajë,
qan e qesh me lot dënese,
hall me ty desha të ndajë,
por t'i hesht nën pika vese...
5 maj 2020