>
LETERSISHQIP
Odise Kote

Koha, Kjo Zonjë E Nderuar

Mos vrit mendjen nga shkon udha, kujdes hapin e parë,
në botën e Zotit lindja, vdekja këmbehen përjetë.
Koha, kjo zonjë e nderuar nuk lë borxhe pa larë
dhe thjeshtësia nuk është kurrë diçka e thjeshtë.

E kaluara, kosh i stërmadh ka vend për tradhëtitë,
për lotët, gjuhën e heshtur të dhimbjes së mirë.
E sotmja, rrip toke, kacafytur bërrylat, xhelozitë,
se errësira nuk mund të dëbohet kurrë me errësirë.

Ëndërr e mjaftueshme, ajo që netët lë pa gjumë,
pa rrëshqitur në kremra rehatie, normalitet e lëmim.
Fitues doemos ëndërrimtari që s’dorëzohet kurrë,
rritet kur rrëzohet, shpëton nga vrasja heshtur, rutinë.

Gënjeshtër fillestare, e mjaftë, dyshim për çdo të vërtetë,
dashuro sa nuk je i përsosur, dashuro, diellit hak mos i lër!
Mister si vdes njeriu, si lind frymë e përjetësisë në jetë,
se Koha – zonja e nderuar, borxhet na i kthen një për një…