>
LETERSISHQIP
Odise Kote

Periferi

Prej agut pluhur, në mug muzgu të murmë,
djalli i fryn veshit një mendim ogurzi.
Pa rrugë, bibliotekë, pa shkollë, rrëmujë,
Periferi dhe vetëm periferi.

Ferri e parajsa, një klithmë qiellore,
qyteti një kumbim vegimtar në marrëzi.
Pa teatër, xhungël, kënaqësi rastësore
gjumë hashashi, Rehat – Periferi.

Mendje si zgavra gërryer pakthyeshëm,
duar grabitqare që zhvasin në errëti.
Jetë e dyfishtë, diell që than shpresën,
dhembje shtegëtare, shakullimë, Periferi.

Ecje çalashe, faj – ngut e tërbimndrydhur,
dremkë çjerrëse, panik, fasoneri.
Riake fat humbur në qark të mbyllur,
shenja fundi. Mërzi. Periferi.

Ngecur n’zgrip, plakur rrënimesh, dobësish,
vdekja orakull vrazhdan, rrotull në ajri.
Fantazma burimi që s’meritojnë besim,
bisht i hatashëm valëvitës. Periferi.