>
LETERSISHQIP
Odise Kote

Këndezi, Kikiriku

Mbret i kurorëzuar, Këndez i mëhallës,
Kikiriku…! Zgjon botën në diell e pluhur.
Detyrë prej Zotit, t’i përmbahet fjalës,
ngase vdekja vjen në kohën e duhur.

Kikiriku – kushtrimzjarr’ në ag të përflakur,
mbyll ditaret e natës, ëndrrat që dhëmbin.
Sendet marrin ngjyrat e dheut të lagur,
butësinë e ujit që thyen dhe shkëmbin.

Kikiriku – kohën vetëkurdis pak nga pak,
melodia marruke a britma që trëmb.
Shkrepëtimë drite që të hyn në gjak,
të nguc dëshirën të brofësh në këmbë.

Kikiriku… – triumfi zemërak, i sertë gjer në plotëri,
lajmëtar i qiejve dhe i botës mbarë.
Sigurisht që profecinë e të mençurit s’e di,
në luftë e vërteta është viktima e parë…