>
LETERSISHQIP
Odise Kote

Ti Gjithnjë Nis Nga E Para

Ti gjithnjë nis nga e para, kujtim, flakë në shpirt,
ndërruar të jenë kohët, stinët, lisat anëmbanë.
Vjen si lindja, shkon si vdekja, çastet ç’i përndrit,
arrati – afëri, shi rrëmbyer në tokë të tharë.

Kur në befje rrjedh si krua e s’ndal dot ngazullia,
ti gjithnjë nis nga e para, flakë në shpirt e prush,
Mëkat – epsh kafshuar, përvëlon, zhurit – bukuria,
lakuriq, dëborë ëndrre, vezulli e zjarr përdëllues.

Gjëmon nga përbrenda, guf gjaku a kambana,
përjetësisht i kthjellët, afsh bekuar, trup e frymë,
Flakë në shpirt kujtimi, ti gjithnjë nis nga e para,
mbështjellë me cipëz drite, hajthmëri e shenjtërim.

Ti gjithnjë nis nga e para, flakë në shpirt kujtimi,
klithmë ëmbëlake kësaj bote, aromë delikate.
Ajër që ngjiz poresh puthjen dhe krijimin,
hënën ndriçimtare, loj’ bari e vese pas mesnate …

Ti gjithnjë nis nga e para, flakë në shpirt kujtimi …