>
LETERSISHQIP
Odise Kote

Ikën Nga Murosja Margarita

Shtatë shekuj priti Margarita të dërgonte një shenjë,
një Lilak, në portën e rëndë të Baladës.
Të qarta, të pashmangshme, tingëlluan kambanat,
tek një urë e vjetër, atje në Gjirokastër.

Fërfërimë fryme, ikën nga murosja Margarita,
trup – mjegulla, balonë fëmije që lëviz si perde.
Drithërohet ura – akord harpe, psherëtima,
pështjellë muzike që e mban për vete.

Thanë ish një trim që i trazoi fatin, një fiskajë,
dhe iku, pa pengesë droje, pa ngutin e dëshirës.
I’u dorëzua trup e shpirt fanitjes së mbrame,
elegances, mbetur tek e skuqura e fytyrës.

Thanë u zgjua kur i puthi sytë, ngjyrë gur – uji,
kur qeshi, kaq befas, ngjyrë shurup trëndafili.
Ngjyrë zjarri shkrepën, brofën kur i preku burri,
dy gjiret e saj qumësht e shije trashëgimi.

Puthet në ag të ditës, gjest kaq pranë parajse,
dhe ikën nga murosja Margarita, nën shiun ylber – ar.
Të qarta tingëlluan kambanat, të pashmangshme,
për zonjën e pushtetshme, të virgjërisë së saj…