>
LETERSISHQIP
Odise Kote

Hamenjtë E Pazarit

Shkuan përtej kësaj jete të trazuar,
Hamenjtë e Gjirokastrës, hallexhinj të vjetër.
Lodhur, buzëplasur, kavalierë të duruar,
Ikën të prehen tek ajo, Bota Tjetër…

Krahëfortë si guri, senatorë të haresë,
këndelleshin ditëve, në pritje shërbimi.
Varfërisë lënguese ti jepnin pak jetë,
kur u çonin mobilje a sende gëzimi.

Molo, Raxh, Mellan – zogj të Pazarit,
gojëmbël esnafë, djersë e ndershmëri.
Mbi kurriz të tyre fuqi e guximtarit,
hartë kamzhiku e fat endacaku në vetmi.

Të urtët e përjetshëm, të argasurit bonjakë,
peshat ngrinin pupël dhe ërr… nëpër sokakë.
Kur mblidheshin darkës nga sazet e tyre,
taverna "Kurveleshi" bëhej tym e flakë.

Shkuan Hamenjtë, gjurmë të bardha lanë pas,
të gjithë do të ikim një ditë nga kjo botë.
Nofkat : Herkul, Tigër, Këmbëmadh,
hieroglife të shkruara me gur në çdo portë.

Shkuan një nga një Hamenjtë e Gjirokastrës …