>
LETERSISHQIP
Odise Kote

Shqiponja

U ngjit aq lart në ajër shkëlqimtar,
majës së pambërritshme të malit, atje.
Një fjollëz reje, bardhoshe, mitare,
ia lidhi si shall folesë së re.

Arrati prej syrit të nxirë që po plas,
hovit të shuar, shpuzës së mekur.
Ndalo këtu, Krenari dhe Maraz!
Tretu në vesë. Humb nëpër mjegull!

Dritës kur zgjohet, agut n’agim,
sqepin e kthyer, ia nis ta përplas.
Zezonën vret, përhieroren e zymtë,
çak e çak, me vrullin hidhërak.

Godit e thyej, shkrepës pa pushim,
pluhur e flakë, lëndim i bardhë…
Çika e strall, zell i pakthimtë,
shkëmb qiellor i çarë në damarë.

Shqyen copash, prazmoren e vjetër,
të shkuarën mëkatare humbet në zali.
Dhimbë e dhimbës pret dhimbë tjetër,
shkon i mosduhuri e del sqep i ri.

Me sqep luftëtar, mbi kthetra të lodhur,
i shkul një nga një, hapësirash i flak.
O klithmë e klithmës, thikë e gjakosur,
në thithkë të ferrit, o shpërg përvëlak!

Pa shkulen dhe pendët, trupit në hark,
njehsim i thukët, gjakim e pendesë.
Duron – durimi në dhembjet pa cak,
se lind e reja dhe e vjetra vdes.

E ngjitur aq lart në ajër shkëlqimtar,
në majë, ku s’guxoi të ngjitet askush.
Në shtjellë purgatori ky shpend i rrallë,
detyrën ndaj vetes dhe Zotit përmbush.

Rilindur prej hirit, prej dhimbës e plagës,
lehonë vetmitare, nga maja …atje!
Qiejve të kthjellët, stuhive, shtrëngatës,
lëshohet gjithë vrull Shqiponja e re …