>
LETERSISHQIP
Odise Kote

Babazoti

Babazoti me titull fisnikërie Mjeshtrok,
nuk studioi filozofi dhe as e njohu Volterin.
I bindej veç Nolit si kryepeshkop,
adhuronte si zot, Pitagorën, Arkimedin.

I falej peplumbces, këndores, perëndisë së pjellorisë,
qoshes, teoremës, brumit të gurit të zi e të bardhë.
Diturisë mjeshtëroke, xhindit të fantazisë,
gërqeles së pjekur, bukuranes me ajkë.

Qëndiste lulore me daltë e smiral të hollë,
në ura, kroje, pragje e shtëpi me harqe të lartë.
Në dritare dielli, prekte hapësirat me dorë,
frizitë vezulluese me orakuj drite në ballë.

Gjithë jetën ndërtoi, arkitekt e sevdalli i madh,
pranverë – vjeshtë, nga një vend Ballkani në tjetrin.
Babazoti njihte veç Nolin kryepeshkop,
adhuronte si zot, Pitagorën, Arkimedin.