>
LETERSISHQIP
Odise Kote

Iluzionet

Në brinjë të erës, në brinjë moskuptimesh, në acar,
rendën Iluzionet. Rranë, u gremisën në hone tmerri.
Lodhur mëkatesh, mugëtirës, humbinës, në mjegullnajë,
përpirë pandehmash, nga heshtja dhe terri.

U gremisën, si vdekja kur vdes brenda vdekjes,
enigmat që hijet së largu ndiqnin, në askund.
Mëdyshjet, ndjesitë prapsuese, shurdhërinë e keqe,
si një kotni, si një gabim, si një mos i pafund.

Rranë iluzionet, siç bien gjethet, parandjenja pikëllimi,
u shtypën si kryengritje rrebele, shkrumb e hi.
Sikur i pamjaftë të ish fat’ i tyre, ndëshkimi,
bubullimat ç’u sulën mbi to si lubi.

Në brinjë të erës, në kurth pabesish, në acar,
mbi gjumë të prishur, nisje të reja, udhëkryqesh në mes.
Ikën ato, po mbet’ djegia – dëshmi, hiri i bardhe,
mokërbluarje gurësh brerje e ndërgjegjes, pendestarë kujdes…!