>
LETERSISHQIP
Odise Kote

Netët

Netët kurrë nuk mund t’i gënjesh,
gjithçka të harruar ta risjellin ndërmendje.
Pingërimat e dritës ndërfuten, çajnë thellë,
në bunarë hamendjesh të pafundme.

Enigmat, që prej së largu bëjnë hije,
mëdyshjet e errëta që s’pranojnë sqarim.
Mëshira e kobshme – fjalë jo e kësaj bote,
dhe përpjekja që ndiqet pas nga një dështim.

Kurajot e shtypura, të mohuarat arritje,
një grua të rrugës, njohur rastësisht,
veshur me alga luleroz’, hyjni amfibe,
provat e shkretimit, paradoks i dysisë.

Atë që nuk deshëm ia dhuruam vetvetes,
Shqyrtimin. Nga lindja e shpirtit gjer në amëshim.
Ti kurrësesi nuk mund t’i gënjesh Netët,
s’ka asnjë shteg tjetër, të mbërrish në agim …