>
LETERSISHQIP
Albert Zholi

Gjaku I Gjashtë Viteve

-skicë letrare-

Një grua rreth të gjashtëdhjetave qëndronte përballë gazetave shqiptare, të varura tek tenda e kioskës "Everest. Gati të gjitha gazetat kishin vënë në ballë lajmin e falimentimit të kompanisë "Gjallica". Ajo rrinte përballë gazetave me sy të shqyer dhe e pa frymë, si një statujë e mishtë e veshur me të zeza...

Pastaj, nga sytë e statujës u lëshuan disa pika loti e u fshehën nëpër faqet e rreshkura...

Statuja me të zeza lëshoi një psherëtimë e në fund të psherëtimës, foli disa fjalë sikur t’i kish lidhur pas asaj psherëtime të gjatë:

- Ç’ishte kjo gjëmë?!...

Gjithë grupi i njerëzve, që ishte aty heshti. Edhe ata kishin formuar një bazorelievë të pajetë dhe brenda vetes pyesnin:

-C’ishte kjo gjëmë?!

Një djalosh e prishi i pari ligjin e ngrirjes dhe pyeti :

-Kishe vënë shumë nëno?!

Gjakun e gjashtë viteve, -foli nëna pa e kthyer kokën nga ai që i foli. Pastaj hodhi një vështrim të pa përcaktuar nga turma dhe vazhdoi : " Gjakun e djemëve e të vajzave, ndaj më dhemb kaq shumë"…

- E, kush mbeti pa futur para tek "Gjallica"? Gjithë Shqipëria futi...

- Shteti mburr, e neve fut paratë, e kush mori –mori...

- Edhe nga Kina futën para tek "firmat" shqiptare, që të pasuroheshin...

- Pse s’thua dhe nga Hëna? Edhe Ufot u çuditën me përrallën shqiptare...

- Epo, kur përrallat i tregon mbreti edhe gjarpëri gënjehet…

Kështu u ndezën bisedat e atyre, që disa minuta më parë ngjanin me një bazoreliev para gazetave të varura...

- Kështu fillon gjëma! Fundi nuk i dihet, -foli plaka dhe me sytë e përhumbur dukej sikur shihte përtej jetës e në shpirt ndjente një gjëmë edhe më të madhe.