>
LETERSISHQIP
Albert Zholi

Nënë Të Kesh E Nënë Të Mos Jesh...

-skicë letrare-

Tek një dyqan fotografik më tërhoqi vëmendjen një grua veshur me të zeza, që mbante në duar portretin e një djali të ri. Djali qeshte nga fotografia e dukej simpatik. Gruaja me të zeza e fshinte kornizën me shami dhe e shihte e shihte me vëendje djaloshin simpatik si një dialog të pafjalë. Pranë saj rrinte një djalë dhjetëvjecar. U afrova dhe e unë në atë kompozim njerëzor…

Altin si të duket? – e pyeti gruaja djalin.

Shumë bukur mama- foli djali i gëzuar-

- Ç’farë e kini? – e pyeta unë.

Gruaja me të zeza më pa në sy, pastaj sikur u zgjua për pyetjen që i kisha bërë unë...

- Është vëllai im – dhe psherëtiu. Duart i lëviznin mbi kornizë me shami, me ritmin e rrahjes së pulsit dhe sytë iu mbushën me lotë...

- Nuk e dimë ku ndodhet – foli ajo, fshiu lotët me cepin e shamisë dhe vazhdoi :- U largua nga shtëpia në shtator 1989-tës. Ishte bashkë me një shok. Donin të kalonin detin nga Korfuzi e të iknin. Na sollën rrobat dhe orën e dorës e asgjë tjetër... Nuk e dimë të vërtetën. As i arratisur, as i mbytur. Atëherë kush ikte quhej arrati... Jetojmë me shpresa por. E kemi kërkuar por më kot. Pyet andej e pyet këndej, në ishuj e në qytete, do zoti na e sjell ndonjë ditë- Mamaja është e tretur e sosur, por "nuk vdes pa e parë edhe një herë djalin, është gjallë, ma sjell ëngjëlli mua", na thotë e qan e fshin lotët…

- Po ndonjë gazete I jeni drejtuar?- e pyeta unë, sikur doja ta shpëtoja pritjen e tyre të kaqjavëshme...

- Gazetë? Jo! Unë i kam humbur shpresat se po të ishte i gjallë do të vinte tashti që u hapën udhët. Por mamaja, mamja lutet me shpresë të pahumbur. Nënë të kesh e nënë të mos jeshë - dhe me dorën që i dridhej përkëdheli flokët e djalit. Nëna pret, ka besim tek Zoti. Është gjallë thotë…


Mars 1997 Athinë