>
LETERSISHQIP

Një Dhimbje Më Shumë…

-skicë letrare-

Me dy vëllezërit Agronin dhe Ilirin, u njoha rastësisht në stacionin e Akademisë në Athinë. Pastaj u miqësuam e qanim hallet me njëri-tjetrit. Agroni ishte tre vjet më i madh se Iliri dhe i fejuar me një vajzë në Shqipëri.

Për festët e Pashkëve dy vëllezërit shkuan në Atdhe. Vajti një kohë e gjatë që nuk i kisha takuar dhe nuk dija si ia kishin kaluar, si kishin gjetur e si i kishin lënë njerëzit. Pyeta për ta dhe më thanë se akoma nuk kishin ardhur nga Shqipëria. “Epo vendi tënd ka forcën e magnetit dhe njerëzit që e duan nuk i lëshon”, mendova i kënaqur…

Rastësia bëri që tek “Omonia” të takoja Ilirin. U përqafuam me mall dhe e pyeta për të gjithë e për të gjitha... E pyeta edhe për Agronin, ku ishte dhe si e kish të fejuarën. Apo ishte martuar? Apo e kish marrë nusen me vete?... E pyeta për të gjitha këto Ilirin, kureshtar dhe i malluar…

- Agroni u martua- më tha Iliri me gjysëm zëri.

- Ooo urime të gëzojë nusen dhe jetë të lumtur – e urova unë- po pse ri kështu sikur të ka ngrënë gomari bukën, apo ke hall se mos na qerasësh- vazhdova unë me atë inerci gëzimi.

- U martua me një greke – foli shkurt Iliri, si fajtor për martesën e vëllait dhe vazhdoi – do më falësh Berti kam një telefonatë me nënën..

Pas disa ditësh, me adresën që më dha Iliri, shkova tek Agroni. Doja ta takoja. Të flisja e të më fliste... “ Jeta është enigmë mendova dhe ai di më shumë për veten...”

Tek dera u shfaq një grua me një fytyrë të rënduar nga tualeti. Rrudhat rreth syve, në faqe e mbi gushë, nuk i kish mbushur dot tualeti i rëndë...Mendova se ishte vjerra e Agronit dhe, pasi e përshëndeta dhe e pyeta për Agronin, me sy kërkoja nusen, të delte diku, nga njëra dhomë e shumë dhomave, që fshiheshin pas dyerve të bardha.

“Vjerra” e kuptoi shqetësimin tim, duke më ftuar brënda foli si e përkëdhelur: “ Unë jam nusja e shokut tënd.”

Mbeta i hutuar për një çast, pastaj ika pa menduar asgjë, por me një dhimbje më shumë.