>
LETERSISHQIP
Aurela Tafa

Në Vorbullën E Dhimbjes

Si veshje e squllur, vetmia ime,
ndërsa thellohet nata,
anën tjetër të zemrës sime
sado e kërkova, s’e gjeta.

Si veshje e lagur, vetmia ime,
që e vesh e më pikon,
e vetmja që mbeti pranë meje,
rrugën që ike tashmë vështron.

Të gjitha çfarë dua të tuat janë,
por m’i ke marrë shumë larg.
E veshe diellin mbi supe,
dhe këtu s’gdhin më — është natë.

Në shkallët e vorbullës së dhimbjes
edhe sonte ngjitem,mbes,
një shkëndijë në shiun e kohës,
sërish harron se po pres.

Në vorbullën e dhimbjes sime,
pa puthje e pa ledhatime,
në një cep të këtij vendi,
si ta duroj këtë errësirë?

Të gjitha çfarë dua të tuat janë,
por ti m’i ke marrë shumë larg.
E veshe diellin mbi supe,
dhe këtu s’gdhin më — është natë.