>
LETERSISHQIP
Aurela Tafa

Fëshfërima E Detit

Sonte qielli është i pastër mbi qytet,
nata po zbret ngadalë mbi det.
Dritat ndriçojnë rrugicat e gjata,
zemra të kërkon sapo bie nata.

“Të dua” është shkruar mbi rërë,
mbi shtëpizat bardh e blu.
Çdo hap më sjell më afër natën
dhe më rikthen në krahët e tu.

Nëse koha provon të na ndajë,
nëse distanca trishtim më mbjell,
unë do dëgjoj vetëm atë fëshfërimë
që deti me erën do të ma sjellë.

Fëshfërima më thotë vetëm “të dua”,
në përjetësinë e së vërtetës.
Emri yt jeton në kripën e detit,
që era ma sjell si kuptimin e jetës.

Me fëshfërimën e detit “të dua” më thua,
si një ëndërr që nuk mbaron.
Je dashuria e mbyllur brenda meje
kur bota zgjohet e zhurmon.

Në bregun e detit vallzonim,
pambarimisht të dy
duart e tua kërkonin të miat —
do doja që koha të ndalej aty.

Një buzëqeshje pa fjalë,
një frymëmarrje pranë meje.
Në çdo puthje lëshohem mbi detin tënd,
është e ardhmja që ëndërroj pranë teje.

Nëse nesër nuk do jesh këtu,
fëshfërima do të më flasë për ty.
Në reflektimin e detit të qetë
do gjej pasqyrimin tënd, të më shohë në sy.

Fëshfërimë e detit, “të dua”,
ti e bën hënën të këndojë.
Je zëri i zemrës sime,
që koha kurrë s’do ta harrojë.