>
LETERSISHQIP
Aurela Tafa

Pritja



Ora shënonte katër zero,
por gjumë nuk kishte atë natë.
Me kërshëri shihja nga dera –
mi thau sytë pritja e gjatë.

Më mbyste frika, malli, dhimbja,
të gjitha lëmsh më qenë bër’.
Dhe fryma seç më qe rënduar,
nga marazi dridhesha e tër’.

Ku është tani? Pse nuk po vjen?
A do jetë mirë? Ku humbi vallë?
Me qindra pyetje e skena ngrija –
lutesha veç të ishe gjallë.

Ma ngrive gjakun, shpirtin ma thave,
ma shkurtove jetën,
zemrën ma vrave.

A fare s’të dhimbsem si njeri?
Më torturon, gjakun ma pi.

E zezë ish nata si pus i thellë,
e brenda tij e zhytur unë.
S’ecnin minutat në atë natë,
çdo gjë kish ngrirë… dhe nuk kish gjumë.
Korrik 2025
*(ora shënonte katër zero= ora shënonte 00:00)