>
LETERSISHQIP
Dallandyshe Lusha Bushi

Humbëm Rrugës

Ka një pjesë të jetës sime që më ndjek kudo.
Nuk është ndonjë peng, as ndonjë gabim...
— është thjesht një mungesë.
Një boshllëk që nga një ndarje e heshtur, e ngadaltë – si era që zhduk aromën e luleve me kalimin e kohës, pa e kuptuar

Ishte fëmijëria jonë.
E thjeshtë, e pastër, pa filtra. Ishim bashkë – unë, ti, ju…
kushërinjt e mi që sot mezi i njoh në rrugë. Luanim me gjithçka, sepse bota jonë nuk kishte nevojë për shumë. Një top, një kukull, një gur, dhe zemrat tona të hapura për gjithçka. Nuk njihnim inat, nuk njihnim interes,
vetëm një lidhje që na dukej e përjetshme.

Por koha s’është mik i askujt.
—Erdhi rritja dhe me të,
ndryshimet.
—Erdhi ajo heshtje që nuk është e natyrshme, por e krijuar nga fjalë të pathëna,
nga krahasimet,
dhe zemrat e lënduara.
Nga xhelozia që u fut tinëz mes nesh – si një erë e ftohtë që hyn natën, kur të gjithë flenë.

E sot... ndoshta s’të njoh më.
Nuk di nëse jemi të njëjtët njerëz që vraponim zbathur dhe fshiheshim pas pemëve. Shikimet tona janë të huaja tani. E vetmja gjë që kemi të përbashkët është
heshtja.

Sa keq që koha mori me vete diçka aq të bukur. Jo lodrat…
por ndjenjat.
Jo kujtimet…
por afërsinë.
Dhe ndonjëherë pyes veten:
— A do të mund të kthehet ndonjëherë ajo që kishim?
Më dhemb.
Jo sepse jam e zemëruar, por sepse më mungon diçka që nuk e kthej dot më. Një lidhje që nuk duhej të prishej kurrë…
por që u tret, pa zhurmë.

Ndoshta jemi rritur, por në thelb...
kemi humbur.!