>
LETERSISHQIP
Dallandyshe Lusha Bushi

Një Mësim I Vjetër Për Një Botë Të Re

Ka fjalë që mbesin në kujtesë si gurë të gdhendur në shpirt.
Fjalë që i thotë një plak,
pa zë të lartë,
por me peshën e një jete.
—Babgjyshi im,
që me zërin e tij të butë
mbushte odën.
Në atë shtëpi me prag të ulët e zemër të madhe,
kur gojët niseshin të shponin ajrin me fjalë për të tjerët,
vetëm psherëtinte lehtë, e mblidhte vetveten,
dhe si për të na kujtuar thelbin e jetës,
thoshte:
“Ah mor bab, hani bukën tuj e boni davan e huj…”

Sot, kur rruga ime më ka çuar larg nga ajo sofër e varfër e e ngrohtë,
kuptoj se ç’peshë kanë pasur ato fjalë,
fjalët e atij,
plaku,të mirë.,
sot e kujtoj,
kur shoh si flasin gojët e botës,
si përhapen fjalët pa menduar,
si harrohet buka në sofër
e kërkohet sherri i huaj,
si nëpër festa thashethemesh.
Dhe them me vete:
sa mirë do ishte të dëgjonim edhe njëherë
atë zë të mençur që na ftonte të heshtnim,
të shihnim veten.
Në atë kohë, fjala e keqe digjte si zjarri, dhe besimi ndërmjet njerëzve ishte i shenjtë.
Por sot, në botën moderne, ku fjalët përhapen me një klikim, më duket sikur ky mësim i vjetër është më i nevojshëm se kurrë.
Sot, shpesh harrojmë të shohim veten tonë dhe ngutemi
të gjykojmë,
të komentojmë e
të përgojojmë të tjerët.
Harrojmë,
se buka që e fiton me duartë e tua,
është bekim.
Por fjala që e hedh për të tjerët,
është mallkim.

Babgjyshi im, e dinte mirë:
Njeriu që mbush gojën me jetën e tjetrit,
zbraz, shpirtin e tij.
Njeriu që kërkon sherrin e huaj,
humb paqen e shtëpisë së vet.

Në fund, ai donte të na thoshte:
—Mos e prishni shpirtin tuaj
duke shitur, për fjalë
gjakun e huaj.
Mos e ndotni bukën që Zoti ua jep,
me gjuhë që shpon
e dëmton.

Le të ruajmë fisnikërinë e fjalës dhe të veprës, ashtu si dikur, kur nderi i një njeriu matej jo nga sa flet për të tjerët,
por nga sa din të heshtë e të shohë punën e vet.
Sepse më e shtrenjtë se buka,
është paqja e shpirtit.
Dhe më i madh se
çdo sherr i huaj,
është nderi yt.

Hani bukën tuaj.
Mos kërkoni davanë e huaj.
Se davatë e huaja e djegin
shtëpinë tuaj!
—Kur bota ishte më e qetë,
më e pastër, më vllazërore, më e paqtë,
ndërmjet njëri tjetërit,
ekzistonin dhe ato fjalë të
mençura,
që, sot janë thjeshtë
një kujtesë...