>
LETERSISHQIP
Dallandyshe Lusha Bushi

Britma Që Bota Nuk Dëgjon

Nën hije bombash,
fëmijët qajnë,
sytë e tyre kërkojnë dritë, por shohin vetëm errësirën,
Nënat thërrasin emra që nuk përgjigjen më,
tokën e lagur nga gjaku,
lotët e mbulojnë

Nuk ka gjë më të rëndë sesa të shohësh një nënë që përqafohet me trupin e fëmijës së saj të ftohtë.
Ajo nuk bërtet – sepse lotët i janë tharë prej kohësh.
Ajo nuk lutet më – sepse edhe lutjet kanë rënë në veshë të shurdhët.
Ajo thjesht hesht...
Dhe në atë heshtje
dëgjon më shumë dhimbjen...

Sepse dhimbja nuk ka kufij.
Zemra që rreh nën rrënoja, është e njëjtë si e jotja.
Vetëm se ti e ke të mbrojtur – e ajo, është lënë në vetmi.
Muret bien, por jo zemrat që rrahin,
jo kujtimet që digjen pa u harruar.
Gjithçka është rrethuar –
si një plagë që
s’mbyllet,
si një rreth i shkrumbuar.

Palestina,
—simbol i dhimbjes që nuk ndalet,
i një populli që jeton mes rrënojave, pa siguri,pa zë…
pa shpresë.
Çdo sekondë mbart frikë, çdo hap është rrezik,
çdo ëndërr...
një luks që s’mund të përjetohet.
çdo mëngjes është një sfidë.
Çdo natë është një lutje që të mos jetë e fundit

Karvanët e ndihmës presin në kufi,
ndërsa jeta ikën,
ikën pa lamtumirë.
Kush do t’i kthejë emrat që u fshinë?
Kush do të përqafojë ata që s’janë më?

Bota sheh. Disa flasin, disa heshtin...
kur një fëmijë vdes nën rrënoja,
nuk është thjeshtë një statistikë – pooor,
një jetë që s’u jetua kurrë.

Palestina...
—nuk kërkon mëshirë,
por drejtësi.
—Nuk kërkon më heshtje, por zë.
Ka raste që shpirti britmon aq fort,
por askush nuk e dëgjon.
Zëri i tij humbet mes titujsh lajmesh,
mes heshtjes së botës dhe indiferencës që vret!

Unë s’jam nga Palestina.
Por dhembja që ndjej, është më shumë se ndjeshmëri.
Është një borxh njerëzor.
Sepse kur digjet një fëmijë në Gaza,
digjet pak nga gjithë njerëzimi...
Mos thuaj: "Nuk është puna ime."
jemi bërë pjesë e asaj që vret:
Heshtja. Harresa. Ftohtësia.

O Zot… nëse je,
mos i lër këta njerëz vetëm me errësirën.
Drita jote mungon atje ku shpirtrat dridhen.
Atje ku njeriu bëhet hi –
pa faj,
pa zë,
pa jetë…
Zemra pikon, sytë lotojnë,
kur sheh rrënojat, trupa të pa jetë,
nënat duke zgjatur duart që dridhen për të prekur trupat e ngrirë të foshnjave të tyre,
fëmijët me sy të zgurdulluar, të rraskapitur,
të pangrënë.

Por bombardimet nuk ndalen, ose askush nuk don ti ndalë...
"Bota Nuk Dëgjon"...