>
LETERSISHQIP
Dallandyshe Lusha Bushi

Ti Je Ende Këtu

Ti je ende këtu, nënë,
edhe kur sytë e tu nuk më gjejnë,
edhe kur emrin tim e humb diku
në mjegullën e harresës.

Ti je ende këtu,
në buzëqeshjen që të shpëton pa kuptuar,
në një këngë të vjetër që të sjell një grimcë drite,
në lotët që bien kur unë nuk mund t’i ndal më të mitë.

Sëmundja ta vodhi mendjen,
por zemrën nuk mund ta marrë kurrë.
Sepse ajo rreh ende për ne,
edhe në heshtje. Edhe në errësirë.

Ne të duam më shumë për çdo ditë që të humbasim pak nga pak.
Të dua kur qesh me vëllain tim,
të dua kur më shikon si një e huaj,
të dua kur më përqafon pa fjalë,
sepse ndoshta trupi harroi…
por shpirti kujton.

Ti je dhimbja që na ka këputur shpirtin
Ti je dashuria që nuk zbehet kurrë.
Dhe ne do të të duam
edhe kur të gjitha fjalët të kenë heshtur.
Edhe kur bota të ndalojë.

--"Gjithë jeta jonë
prej ditës që hapëm sytë
e deri sot që sytë e tu shikojnë bosh,
ti ke qenë zemra që na mësoi të rrahë

Na mbajte në krahë me ngrohtësinë që vetëm ti dije,
na rrite me duar që kurrë nuk u lodhën,
na mësove të duam,
na mësove të falim,
na mësove të jetojmë …
edhe pse ti sot po harrohesh nga jeta vetë.

Ti i dhe kuptim çdo dite tonë.
Gjithçka që Jemi, është sepse t'i na deshe më shumë se veten.
E tani, kur ne duam të të kthejmë gjithçka,
nuk dim si.
Sepse ti rrëshqet larg,
ditë pas dite, si rëra ndër gishta.

Por ne jemi këtu.
Në çdo mëngjes të vështirë,
në çdo mbrëmje me lot në heshtje,
në çdo moment kur ti nuk na njeh —
ne të duam më fort.

E mbajm dorën tënde si dikur,
kur ti na mbroje nga frika,
dhe tani është radha jonë
të të mbrojmë nga errësira.

Nuk ka më fjalë mes nesh,
por ka zemra që flasin pa zë.
Ka lotë që rrjedhin bashkë,
ka kujtime që nuk vdesin.

Nëse një ditë na harron plotësisht,
mos ki frikë, nënë.
Ne do të kujtojmë
Do të duam
Do të jetojmë dhe për ty

Edhe kur s’je më ti.