>
LETERSISHQIP
Dallandyshe Lusha Bushi

Më Pëlqen Të Shkruaj

Më pëlqen të shkruaj. Jo për të impresionuar dikë, por për të liruar atë që kam brenda.
Kur nisën të shkruanin njerëzit në fletën e bardhë menduan që të dërgonin një letër diku,
dikujt.

Me pak mister brenda kutive të zarfave.

PO letra që i dërgohet vetes qënka e çuditshme.
Mbase e domosdoshme...

Më pëlqen të shkruaj
Më pëlqen të lexoj njerëzit.
Jo librat e tyre,
por sytë, duart, heshtjet e tyre.
Në një buzëqeshje lexoj dhimbjen.
Në secilën fjalë, gjej një ndjenjë.
Në secilin njeri,
një histori..

Fjalët janë pasqyra e shpirtit.
Njerëzit janë libra që nuk lexohen
me sy,
por me zemër.
Më pëlqen të vëzhgoj – mënyrën si flasin, si heshtin. Sepse njeriu nuk është vetëm ajo që tregon.
Është ajo që fsheh.
Njerëzit janë romanet më të vërtetë që ekzistojnë
Shkrimi më ndihmon të kupto
j botën.
Leximi i njerëzve më ndihmon të kuptoj veten.

Në heshtje shkruaj... Fjalët më rrjedhin nga zemra si ujë i pastër në një lumë të qetë. Çdo fjalë është një ndjenjë, çdo rresht një copëz nga shpirti im.

Më pëlqen të shkruaj. Jo për të impresionuar dikë, por për të liruar atë që kam brenda.

Kur shkruaj, gjej qetësi. Gjej veten. Fjalët më ndihmojnë të kuptoj mendimet
që shpesh i kam të ngatërruara në kokë.
Ndonjëherë më duket sikur çdo njeri që takoj është një kapitull i veçantë.

Disa janë të lehtë për t’u lexuar, të tjerë janë të mbyllur me kyç. Por të gjithë mbajnë brenda një tregim që ia vlen të dëgjohet. Dhe ndoshta, për këtë arsye shkruaj: që të mos harroj të dëgjoj. Ka ditë kur fjalët nuk më dalin lehtë. Jo sepse nuk kam çfarë të them, por sepse ajo që dua të shpreh nuk zë vend në fjali të thjeshta. Ndjenjat janë të thella. Shikimet janë të ndërlikuara.

Njerëzit janë mister.
Kam kuptuar se ndonjëherë njerëzit nuk duan të flasin.

Por nëse i dëgjon me vëmendje, tregimet e tyre të vijnë vetë, pa zë. Janë aty, në mënyrën si ecin, si presin, si rrinë të menduar. Dhe unë… Unë e ndiej një detyrim të vogël, por të sinqertë: t’i mbaj ato histori gjallë në mendjen time T’i shkruaj kur të vijë koha.

T’i ruaj, si kujtime që nuk janë të miat, por që meritojnë të jetojnë diku. Shpesh lumturia nuk është ndonjë ndjenjë e madhe, që të vjen si valë. Mund të jetë shumë e thjeshtë: një buzëqeshje e dikujt që kalon pranë, një fjalë e ëmbël nga dikush që s’e prisje, aroma e bukës që piqet nga dritarja e një fqinji. Ose... një letër që po i shkruan vetes dhe që s’ka për t’u lexuar nga askush tjetër...