>
LETERSISHQIP
Dallandyshe Lusha Bushi

Nuk Ka Dritë Pa Errësirë

Nuk ka dritë pa errësirë,
as zemër pa një plagë të vjetër.
Nuk ka dhimbje pa vuajtje,
siç nuk ka jetë pa shpresë të tretur.

Në hijet e natës lind agimi,
në heshtje rritet një zë i brendshëm.
Çdo lot mbart një dritë të fshehur,
çdo plagë është kujtim i ndjeshëm.

Unë jam hija dhe drita,
dhimbja dhe shpresa që s’vdes.
Në mua rreh zemra e natës,
me ritmin e një lutjeje të heshtur,

Nuk jam më trup, as mendje,
jam dritë që mbart kujtesën e errësirës.
Jam lutje pa fjalë,
jam rrugë pa tokë,
jam shpresë që ecën zbathur mbi plagë.

Nuk ka dritë pa errësirë,
sepse drita lind në thellësitë ku sytë nuk shohin.
Aty ku mendja hesht,
shpirti flet gjuhën e misterit.

Nuk ka rrugë pa gurë në shteg,
as dashuri pa frikë e ankth.
kam rënë në errësira pa fund,
aty ku nuk kishte as kohë, as emër

Dhimbja më mësoi të
lutem,
vuajtja më mësoi të
fal,
shpresa… më mësoi të
jetoj
çdo rënie është një ngritje më e lartë.