>
LETERSISHQIP
Estela Xhepaj

Hija Mbi Det

U ula përballë perëndimit,
ku qielli digjet me ngjyrat e fundit të ditës.
Në heshtje ndjeva një sy të padukshëm
që më shikonte nga thellësia e ujit.

Dallgët më pëshpëritën mallkime të vjetra,
si të më njihnin para se të lindja.
M’u duk sikur horizonti nuk ishte largësi,
por një plagë e hapur midis botëve.

Një hije u ul pranë meje,
pa trup, pa emër – veç prani.
“Çdo njeri që rri në buzë të detit
po bisedon me fundin e tij”.

U dridha.
Por sytë nuk i hoqa nga errësira.
Sepse ndonjëherë e vërteta
më gjen vetëm kur dua ta shoh
fytyrën e saj më të zezë.