>
LETERSISHQIP
Jehona Gashi

Festa E Shkronjave

Të gjitha shkronjat,
kanë një shtëpi,
Abetare e ka emrin,
më shumë se flori.

Një nga një shkronjat,
aty valle hedhin,
arin që kanë brenda,
në çdo fjalë e derdhin.

Me to nis dituria,
që përhapet nëpër botë,
pesha që ka ajo,
matet vetëm me okë.

Por një hall të madh kanë shkronjat,
vetëm kur ne i harrojmë,
prandaj dëshpërohen shumë,
dhe vallen ndalojnë.

Qetë-qetë foli A-ja,
para shoqeve të veta:
Mbretëri për ne,
është vetëm E VËRTETA.

Me ne shkruhen dhe gënjeshtrat,
dhe shumë punë të këqija,
por pa qejfin tonë,
dhe kur na lë fuqia.

Dhe, një porosi të madhe,
a-ja e parë kishte,
të mos ec nëpër tokë,
por flutur të ishte.

Megjithatë unë fluturoj,
me a-në e aeroplanit,
dhe me të gjitha shoqet,
shkojmë përtej oqeanit.

Kur ulemi në atdhe,
prapë fluturojmë,
sepse në Shqipërinë tonë,
vallen e vazhdojmë.